AKKP: Dosjet ende në verifikim
18/08/2009 Specialistët premtojnë nisjen e procedurave të kompensimit financiar për ish-pronarët brenda shtatorit
Për ndarjen e 600 milionë lekëve për këtë vit janë në garë 520 persona
Kompensimi financiar për ish-pronarët do të bëhet në muajin shtator, afat ky përgjatë të cilit agjencitë rajonale në qarqe kanë të drejtë të verifikojnë dokumentacionin e paraqitur. Aktualisht Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është duke u marrë me verifikimin e dosjeve që janë pjesë e garës së 2009-s. Sipas numrit 2 të AKKP-së, Genci Çelo, kriteret që do të zbatohen për kompensimin do të fillojnë pasi të përfundojë puna e të gjitha agjencive rajonale.
Përfituesit
Drejtues të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave bënë të ditur për gazetën “Metropol” se numri i aplikantëve për fondin e këtij viti arriti në 520. “Procesi po vazhdon me verifikimin e të gjitha dosjeve që janë paraqitur sipas aplikimeve. Nuk mund të them një datë të saktë për nisjen e kompensimit financiar, por është rënë dakord që të jetë muaji shtator. Sapo procesi i verifikimit me të cilin ne po merremi, të përfundojë do të nisë kompensimi i aplikuesve që do të shpallen fitues”, - theksoi Çelo. Sipas tij, ende nuk mund të bëhet e ditur nëse ka të skualifikuar apo jo, pasi këto janë të dhëna që do të bëhen publike në fund të verifikimit të plotë të të gjitha dosjeve. Numri i përfituesve do të varet nga data e vendimeve të dhëna nga Agjencia e Pronave dhe nga vendndodhja e pronave që kërkohet të kompensohet. “Sa më shumë aplikime të jenë nga Tirana, aq më pak përfitues do të ketë, sepse gjithçka varet nga çmimi i tokës. Nëse sipërfaqet që do të kompensohen do të kenë çmim të lartë, atëherë numri i përfituesve do të ulet”, - kanë bërë të ditur drejtues të AKKP-së.
Kriteret
Sipas vendimit, subjektet e shpronësuara, prona e të cilave është njohur e gjitha për kompensim, do të kompensohen sipas radhës kronologjike të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit, vetëm nëse nuk kanë përfituar nga kompensimet e mëparshme, nga kthimi fizik i pjesshëm i pronës, nga e drejta e parablerjes dhe nga zbatimi i ligjit nr. 7501. “Në rastin e vendimeve, të cilat janë ndryshuar pjesërisht, për efekt klasifikimi do të merret numri dhe data e vendimit bazë, që është më i hershëm në radhë kronologjike për njohjen, kthimin dhe kompensimin e asaj prone. Kompensimi të bëhet vetëm për deri 200 m2 të sipërfaqes truall, të caktuar për kompensim, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës, që kompensohet”, - thekson vendimi i qeverisë. Procesi i aplikimit do të jetë i hapur edhe për të gjithë ata që nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e procesit të aplikimit për kompensim financiar.
Verifikimet
Sipas vendimit, zyra e AKKP-së në qendër, në bashkëpunim me zyrat rajonale, shqyrton dokumentacionin e subjekteve, që kërkojnë kompensim në të holla. Zyra rajonale e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave verifikon dosjen dhe vendimin përkatës, të dhënë nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe vendimet e tjera për këtë subjekt të shpronësuar. Agjencitë rajonale kërkojnë nga zyrat vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, brenda 10 ditëve të konfirmojnë vlefshmërinë e regjistrimit të vendimit përkatës në ZVRPP, si dhe verifikimin e ndryshimit të gjendjes juridike të pronës nga çasti i daljes së vendimit të paraqitur nga subjekti përkatës, apo verifikimin e regjistrimit dhe të ushtrimit të së drejtës së parablerjes. Zyra e AKKP-së në qendër shqyrton dokumentacionin e zyrave rajonale, përgatit vlerësimin ligjor të kompensimit, harton relacionin përkatës, merr vendimin për pranimin apo refuzimin e kërkesës për kompensim të subjektit të shpronësuar, i dërgon subjektit të shpronësuar, Avokatit të Shtetit dhe zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kopje të vendimeve të marra, për t’u dhënë mundësi të ushtrojnë kompetencat ligjore si dhe shpall listën e subjekteve fituese. Më pas ajo kryen veprimet me thesarin dhe bankën për kalimin e fondit të kompensimit në të holla, në emër të subjektit të shpronësuar, përfitues të kompensimit, apo përfaqësuesit të tij me prokurë.
Aplikimet
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës hapi nga data 15 qershor 2009 deri më 14 korrik 2009 procesin e pranimit dhe regjistrimit të kërkesave për kompensim financiar për subjektet e shpronësuara dhe/apo trashëgimtarët e tyre ligjore, të cilët plotësojnë kriteret dhe kushtet e parashikuara nga VKM Nr. 487, datë 06.05.2009, “Për përcaktimin e rregullave dhe kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit, të pronarëve, në të holla, për vitin 2009”. Sipas ligjit, ky proces i pranimit dhe regjistrimit të kërkesave për kompensim vazhdoi për 30 ditë.
Shqyrtohet prona në terren
Verifikimi i dosjeve bashkë me zyrat e hipotekës
Specialistët e agjencive rajonale kërkojnë verifikim nëse subjekti i shpronësuar ka të regjistruar pronë të përfituar me kthim nga vendime të tjera të ish-KKKP-ve apo ish-KVKKP-ve, pranë ish-këshillave të rretheve e bashkive apo të ZRKKP-ve në qarqe, në emër të tij. Agjencitë rajonale kërkojnë nga SAMT-ja e qarkut përkatës verifikimin nëse subjekti i shpronësuar ka përfituar tokë bujqësore, sipas ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar. Në ato raste kur vendbanimet e subjektit të shpronësuar apo të trashëgimtarëve të tij, më 19.7.1991 kanë qenë në rrethe apo qarqe të ndryshme, konfirmimet do të merren nga SAMT-të e qarqeve, ku kanë banuar, pa kundërshpërblim. Agjencitë rajonale verifikojnë në arkivin e të dhënave të gjitha vendimet për këtë subjekt, për identifikimin e vendimeve për kthim dhe kompensim të pronave të tij, si dhe kryejnë verifikimin në terren të gjendjes së pronës dhe mban procesverbalin përkatës. Më pas ato përgatisin planvendosjen e pronës dhe caktojnë në hartën e vlerës, zonën, ku ndodhet prona. Sipas vendimit, në bashkëpunim me subjektin e shpronësuar caktojnë pjesën e pronës që kërkohet për t’u kompensuar, kur prona është mbi 200 m2 dhe i kërkon përfaqësuesit me prokurë të nënshkruajë për pjesën, që kompensohet. Gjithashtu specialistët llogarisin vlerën e sipërfaqes, që kompensohet, përgatisin relacionin, ku shpjegohen me hollësi për secilin subjekt kërkues të kompensimit vlefshmëria e vendimit të paraqitur nga subjekti, vendimet e tjera, që vërtetojnë njohje dhe kthime të tjera të pronës për subjektin përkatës, shoqëruar me kopje të tyre, si dhe konfirmimet e zyrës vendore të regjistrimit apo edhe vlerësimi i pronës për kompensim.
Afati 3 muaj
Procesi i trajtimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara kryhet në përputhje me afatin ligjor sipas nenit 17/2 të ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar. “Zyra e AKKP-së në qendër shqyrton kërkesën për kompensim, jo më vonë se 3 muaj nga data e regjistrimit të saj. Në rast se zyra e AKKP-së në qendër e ka të pamundur të vendosë brenda këtij afati, ajo njofton subjektin e shpronësuar dhe, me vendim të arsyetuar, mund të shtyjë afatin për një periudhë jo më shumë se 30 ditë. Kërkesa e subjektit të shpronësuar depozitohet drejtpërdrejt në institucion apo nëpërmjet postës dhe evidentohet në regjistrin e protokollit të institucionit. Subjekti pajiset me vërtetimin e regjistrimit të kërkesës. I njëjti afat është i vlefshëm për shqyrtimin e kërkesës për njohje pronësie pranë zyrës së AKKP-së rajonale”, - thotë neni 17.
Kompensimi
Kompensimi financiar për këtë vit nisi me vonesë, për shkak të vonesave me kompensimin e një viti më parë. Në këtë ligj përcaktohet se ekzekutimi i vendimit për kompensim financiar kryhet brenda 6-mujorit të parë të çdo viti financiar. Këshilli i Ministrave përcakton rregullat dhe kriteret për trajtimin e vendimeve të kompensimit financiar. “Në zbatim të këtij ligji, Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave nuk do të trajtojë me vendim asnjë kërkesë që mbështet pretendimin e vet, vetëm në një vendim gjyqësor të vërtetimit të faktit juridik të pronës mbi pasurinë e paluajtshme, në kuptim të nenit 388 të Kodit të Procedurës Civile”, - theksohet në nenin 17. Të gjitha aplikimet e mbështetura mbi vërtetim fakti juridik do t’u kthehen subjekteve, brenda 30 ditëve nga depozitimi i tyre.
Fondi
Sipas nenit 23, për zbatimin e kompensimit financiar krijohet Fondi i Kompensimit të Pronave. Ky fond përbëhet nga të ardhurat buxhetore, nga të ardhurat e krijuara nga ky ligj dhe të ardhura nga donatorë të ndryshëm. Duke filluar nga viti 2005 dhe për një periudhë 10-vjeçare rresht, Kuvendi për propozimin e Këshillit të Ministrave cakton fondin, i cili administrohet nga AKKP-ja për kompensimin në të holla të subjekteve të shpronësuara. Për periudhën nga njohja e së drejtës së pronësisë deri në marrjen e shpërblimit në formën e kompensimit në të holla, subjekti i shpronësuar përfiton edhe interesin bankar, sipas mesatares vjetore të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë. Bazuar në vendimet e komisioneve vendore ose të gjykatave dhe sipas një radhe të përcaktuar nga vetë ai, AKKP-ja ndan fondin në mënyrë proporcionale.