E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE, testi i Shqipërisë më 28 shtator

18/08/2009  Asambleja do të japë përkufizimet për zgjedhjet e 28 qershorit

Vlerësimi pas raportit përfundimtar të Misioni Ndërkombëtar të Vëzhgimit

Shqipëria do të marrë notën e saj për mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit në fund të muajit shtator. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të japë vlerësimin për Shqipërinë më 28 shtator, pas raportimit të holandezes Corien Jonker. Ajo kryesoi delegacionin parlamentar të Këshillit të Evropës për zgjedhjet në Shqipëri. Vlerësimi që vendi ynë do të marrë në këtë ditë është tepër i rëndësishëm për të ardhmen integruese të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj, duke veçuar në mënyrë të veçantë edhe paraqitjen nga qeveria shqiptare të kërkesës për aplikimin për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian. Vlerësimi i KE-së gjithashtu do të ketë një ndikim shumë të madhe edhe për sa i takon pritshmërisë nga vendi ynë për të përfituar nga procesi i liberalizimit të vizave brenda vitit 2010. Përfaqësuesit ndërkombëtar në deklaratat e tyre si para, gjatë ashtu edhe pas procesit zgjedhor kanë vënë theksin tek rëndësia që kanë për vendin tonë zgjedhjet e 28 qershorit, duke i cilësuar ato si gur prove për pjekurinë e demokracisë në Shqipëri.

Vlerësimi ndaj ecurisë së procesit zgjedhor do të mbështet në vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, proces i cili u realizua nga 5 mijë vëzhgues, ku mes tyre ishte dhe delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ndërsa vetë Jonker në krye të 19 anëtarëve vizituan Shqipërinë më datën 26 qershor së bashku me vëzhgues nga OSBE/ODIHR dhe Kuvendeve Parlamentare të NATO-s. Ky delegacion gjatë qëndrimit në vendin tonë zhvilloi takime me Presidentin Bamir Topi, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si dhe përfaqësues të forcave politike, shoqërisë civile dhe medias. Më herët këtij takimi i parapriu një tjetër delegacion, i cili në fillim të qershorit në takimet që zhvilloi me përfaqësues të ndryshëm të pushteti qendror vuri theksin tek përgjegjësitë e autoriteteve shqiptare për t’i pajisur të gjithë shtetasit me letërnjoftime elektronike.

Seanca e 28 shtatorit u paralajmërua nga Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve një ditë pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare pas prezantimit të raportit të tyre paraprak. “Pothuajse tetë javë pas mbylljes së procesit, OSBE–ODIHR-i do të nxjerrë një raport të plotë përfundimtar, ku do të përfshihen edhe rekomandime për përmirësime të mundshme”, - deklaron ai. Referuar kohës së certifikimit të zgjedhjeve nga komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 1 gusht, 26 shtatori shënon javën e tetë dhe i takon ditë e premte. Në të njëjtin deklaratë citohej se “përfaqësuesit e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të KE-së do të japin raportin e tyre në seancën parlamentare të Asamblesë në shtator/tetor 2009”. Asambleja Parlamentare e KE-së, në fund 28 shtator, ka të përcaktuar në axhendën e saj të japë vlerësime për zgjedhjet në Shqipëri, Bullgari dhe Moldavi.

Raporti

Vlerësimi përfundimtar i zgjedhjeve do të varet në mënyrë të ndjeshme nga ecuria e fazave të fundit të procesit zgjedhor, në mënyrë të veçantë nga numërimi i votave, mbledhja e rezultateve dhe ankesave të mundshme pas ditës së zgjedhjeve. Zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ka qeë kushti i domosdoshëm nga faktori ndërkombëtar, i cili e ka lidhur këtë çështje me fatin e integrimit të Shqipërisë.

Axhenda

Asambleja Parlamentare e KE-së, në fund të shtatorit, ka të përcaktuar në axhendën e saj të japë vlerësime për zgjedhjet në Shqipëri, Bullgari dhe Moldavi. Mbledhja do të fillojë në orën 11:30 dhe Shqipëria do të jetë çështja e parë e përcaktuar në axhendë që do të diskutohet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Përveç KE-së, zgjedhjet do të testohen edhe nga Asambleja Parlamentare e NATO-s në sesionin e vjeshtës.

Raporti paraprak

Jonker vlerësoi qytetarët shqiptar

Procesi zgjedhor i 28 qershorit, megjithëse u vlerësuan si më i miri deri tani nga Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve, ky i fundit në raportin e tij paraprak një ditë pas ditës së zgjedhjeve shprehu vlerësime me nota negative. “Është bërë progres që nga zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2005, por shkeljet vazhdojnë ende”, - ka qenë përfundimi i këtij misioni. Përfaqësuesit e nismës së përbashkët e zyrës OSBE/ODIHR, Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Asamblesë Parlamentarë të Këshillit të Evropës dhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s renditën aspektet pozitive dhe negative të procesit. Më i ashpër u deklarua, Kryetari i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Bruce George. Ai në gjuhë të prerë deklaroi se referuar ditës së votimit Shqipëria nuk i arrit standardet e kërkuara. “A i arritët standardet ditën e zgjedhjeve? Përgjigja është ‘jo’. Shqipëria ka pasur arritje, por ka edhe të meta. Nuk dua që ta shihni raportin si një dënim, por si disa këshilla që po i merrni nga një miku juaj. Nuk mund të themi se kishte konsensus në KQZ, kur shumica e vendimeve ishin 4 me 3. Unë mendoj se komisionet zgjedhore duhet të jenë të depolitizuara”, - tha ai më 29 qershor. Ndërsa kryetarja e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Corien Jonker, e cila do të raportojë më 28 shtator, u deklarua me nota disi më pozitive dhe vlerësoi mbi të gjitha qytetarët shqiptarë. “Këto zgjedhje treguan se populli shqiptar ka gjithë potencialin për të ndërtuar një shoqëri demokratike si ato në vende të tjera evropiane”, - tha ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›