E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Mund të ketë takime dhe biseda për çështje praktike

Bisedimet mund të nisin pas opinionit të GJND-së

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se bisedimet Kosovë-Serbi për çështje praktike mund të fillojnë pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm dhe i njohur ndërkombëtarisht, prandaj në të ardhmen, pas prezantimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, mund të ketë takime dhe biseda për çështje praktike. Për sa i përket çështjes së statusit dhe integritetit territorial, këto çështje janë zgjidhur njëherë e përgjithmonë”, ka deklaruar Thaçi, njofton “Deutsche Welle”.

Zbardhja e fatit të personave të zhdukur, lëvizja e lirë e qytetarëve dhe mallrave, demarkacioni i kufirit dhe kthimi i dokumentacionit të Kosovës nga Serbia, janë temat për të cilat sipas autoriteteve të Prishtinës, janë të gatshëm të bisedojnë me Beogradin.

”Deutsche Welle” citon edhe Kryetarin e Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqin, i cili është shprehur kundër idesë së hedhur se, për një paqe të qëndrueshme në rajon, Kosova dhe Serbia duhet të shkëmbejnë territore. Sipas tij, “Kosova i ka kufijtë e vet… Në këtë kohë, ndryshimi i kufijve është me rrezik për tërë rajonin ballkanik”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›