Tatimet: Kasat, jo më shtyrje afati
Administrata tatimore shuan çdo dilemë të biznesit për afatet e reja të kasave fiskale. Sipas tatimeve, nuk ka asnjë motiv për të shtyrë afatin dhe do t’i qëndrojnë skemës grafike të shpërndarjes deri në fund, sikurse e parashikon vendimi i qeverisë. Konfirmimi vjen edhe nga Ministria e Financave, e cila ka në dorë vendimin për afatet e reja. “Nga verifikimet në terren rezulton se vetëm 10 për qind e bizneseve janë pajisur me kasa fiskale. Kjo mjafton për të mos marrë vendimin për shtyrjen e afateve”, saktësojnë burime zyrtare të ministrisë. Pas testimeve të kryera nga Ministria e Financave për pajisjen e re fiskale, ka nisur shitja e tyre në treg prej një jave. Nga ana tjetër, procesi ka qenë i bllokuar për rreth dy muaj, ku nuk janë shitur kasa fiskale. Por as ky motiv nuk shërben për të shtyrë afatet, pasi tatimet saktësojnë se biznesi ka pasur mundësi të lidhë kontratat paraprake, në mënyrë që të shmangte ndëshkimet.
TestimetPrej tri ditësh ka hyrë në fuqi faza e re e vendosjes së kasave fiskale për biznesin e vogël në rajone të tjera të vendit, kurse bizneset e tjera kishin mundësi ta bënin para datës 1 korrik. Sakaq, administrata tatimore do të nisë shumë shpejt procesin e verifikimeve në terren dhe aksionet për kontrollin ndaj bizneseve për kasat fiskale. Me ligjin “Për procedurat tatimore”, inspektorët kanë të drejtë t’i gjobisin bizneset në masën 100 mijë lekë kur kapen herën e parë pa kasë fiskale dhe 500 mijë lekë kur përsëritet shkelja. Në herën e tretë u pezullohet aktiviteti për 6 muaj, e deri në mbylljen e tij.
EcuriaEdhe pse kanë kaluar më shumë se një vit nga nisja e procesit të kasave fiskale, bizneset nuk janë ndërgjegjësuar plotësisht për detyrimin ligjor, edhe pse janë paralajmëruar me gjoba.
Biznesi është ankuar gjithnjë për çmimin e kasave fiskale dhe për moskorrektësi nga ana e pesë shoqërive fiskale. Në dy proceset e kaluar, 1994 dhe 2001, biznesi i bleu kasat fiskale me çmime deri në 500 dollarë, por asnjëherë nuk u vunë në punë, pasi tatimet nuk ishin në gjendje që t’i menaxhonin. Ndoshta për këtë arsye, në procesin e tretë, që nisi në 2008-n, biznesi ka ende dilema nëse sërish do të ketë dështim apo kësaj here qeveria e ka seriozisht. Sipas nenit 55 të procedurave tatimore, tatimpaguesit që kryejnë qarkullimin e mallrave dhe të shërbimeve, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, janë të detyruar të fusin dhe të përdorin sistemin fiskal, nëpërmjet përdorimit të pajisjeve fiskale, për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe për lëshimin, në mënyrë të detyrueshme, të kuponit tatimor.