E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestat e Vlorës, si i ndezi qeveria Meksi

Debatet në Kuvend, në shkurt 1997, kur kërkohej dorëheqja e kryeministrit

Gjatë gjithë muajit shkurt 1997, Vlora ishte kryetema e debateve mes deputetëve të pranishëm në sallën e Kuvendit Popullor të asaj kohe, i cili ishte bojkotuar prej deputetëve të PS-së, pas zgjedhjeve të manipuluara të 26 majit 1996. Nga 10 shkurt deri në fund, situata vjen dhe bëhet gjithnjë dhe më dramatike, por qeveria nuk jep asnjë shenjë reflektimi, me gjithë thirrjet e shpeshta të deputetëve të PD-së për të dhënë dorëheqjen kryeministri, si një nga masat paraprake të nxjerrë nga greva e urisë studentët e Universitetit të Vlorës. Por kryeministri Aleksandër Meksi, në vend që të përfillë këshillat e deputetëve dhe kërkesat e studentëve, propozon vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme për të rikthyer autoritetin e shtetit në qytetin që ishte dëmtuar më shumë nga rënia e firmave piramidale.

E hënë, 10 shkurt 1997, seanca e pasdites.

Aleksandër Meksi - Siç jeni në dijeni, prej disa ditësh në qytetin e Vlorës bëhen një sërë demonstratash, manifestime politike, që nuk kanë asgjë të përbashkët me protestat paqësore. Është pezulluar jeta e një qyteti dhe, kur flasim për jetë qyteti, flasim për jetën ekonomike dhe atë shoqërore. Nxirren me dhunë nxënësit nga shkollat, është bllokuar veprimtaria e institucioneve, ndërmerren veprime të dhunshme dhe gjatë ditëve të fundit, sidomos dje, që ishte ditë e shënuar për shumicën e shqiptarëve, për ata që janë të besimit mysliman, për ata që kanë gratë myslimane, për ata që kanë miqtë e tyre myslimanë, gjë që nuk bëhet as në luftë, në ditë të tilla ajo ndërpritet, pra, dje, kur policia pothuajse ishte tërësisht e tërhequr, është rrethuar komisarati, është është hedhur eksploziv, është qëlluar me armë…Qeveria disponon të dhëna të mjaftueshme se kemi të bëjmë me grupe të organizuara, të instruktuara për të përdorur armët, synimi i të cilëve ishte dje dhe sot të hidhnin në erë policinë atje ku ishin djemtë e shqiptarëve…Sigurisht unë shpreh këtu edhe keqardhjen time personale dhe të qeverisë shqiptare që në Vlorë ka patur viktima dhe të plagosur nga populli e nga policia…Unë mendoj se është e domosdoshme të shpallet gjendja e jashtëzakonshme në qytetin e Vlorës dhe në rrethinat e saj, të ndalohen manifestimet publike, që mund të shkaktojnë trazira në qytete të tjera…

Sabri Godo - …Në rastet emergjente të çdo vendi, dihet se ka dy zgjidhje: njëra - ushtarake dhe administrative, tjetra - politike. Propozimi i kryeministrit dhe fryma e deklaratës anon nga zgjidhja e parë. Deklarata është e pathelluar dhe vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme e hedhim poshtë, si zgjidhjen më të keqe, sepse kjo, jo vetëm që nuk do të vendosë rendin, por do të përhapë konfrontimin….

Azem Hajdari - …Ne duhet të vendosim urgjentisht dialogun dhe të jemi gati në çdo moment, të skrifikojmë për këtë moment e të bisedojmë me njerëzit, të marrim pjesë edhe në varrim dhe në dhimbjen e atyre njerëzve, se ne nuk jemi deputetët e skutave, por jemi deputetë që mund të dialogojmë me njerëzit tanë. Nuk them se mund të ishte një gjë tragjike që të vendosej ushtria, por jo, këtë s’duhet ta lejojmë kurrën e kurrës…

Hysen Selfo - …Mendoj se kjo situatë nuk mund të zgjidhet, duke shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Nuk dimë ku ishin sot prefekti, kryetari i bashkisë dhe pushtetarët lokalë të qytetit të Vlorës. Cilët janë këta pushtetarë që i zgjodhi populli me votën e tij? Pse nuk dolën në krah të bijve për të qetësuar turmën, por nuk gjendeshin gjëkundi në zyrat e tyre?

Rexhep Karapici - …Kemi një masë të madhe njerëzish, të cilët janë me të vërtetë nën trysninë e një humbjeje të madhe ekonomike, siç është ajo që ka ardhur nga rezultati i fajdeve. Po, ama, gjithë këtë pikëllim të madh që kanë këta njerëz, gjithë këtë hall ku kanë rënë, po e shfrytëzojnë edhe disa banda të kuqe që kemi përpara, të cilat aktualisht, edhe tani që jemi mbledhur në këtë sallë, po zbatojnë në praktikë teorinë leniniste të marrjes së pushtetit me dhunë...

Selim Belortaja - …Unë mendoj se kemi akoma hapa të pakonsumuar para vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme, të kërkuar nga zoti kryeministër. Populli atje ka disa kërkesa. Të paktën ajo pjesë që lëviz, e cila ka për motivacion problemin ekonomik, formulon njëkohësisht edhe një paketë kërkesash, unë mendoj që para se të flasim në gjuhën ushtarake, ne fare mirë mund të uleshim e t’i diskutonim me radhë kërkesat…

Bashkim Kopliku - …Para shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme mendoj se duhet të ezaurohen mënyra të tjera më demokratike, më pak ekstreme sesa shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme: të kalojmë hapat që bën çdo lloj shteti demokratik në botë, t’i propozohet popullit shqiptar një zgjidhje politike, një qeveri po e PD-së, jo e udhëhequr nga z. Meksi…

Seanca e 27 shkurtit 1997

Dashamir Shehi - …Unë do të them si deputet i Vlorës, që Vlora meriton më shumë sesa nga këto ligje që na ke paraqitur këto kohët e fundit, meriton, në radhë të parë, vëmendjen e të gjithë shtetit shqiptar, të qeverisë shqiptare dhe të të gjitha institucioneve të veta. Pse? Vlora, jo vetëm është vendi më i dëmtuar ekonomikisht, por shpeshherë këto kohët e fundit është abuzuar me Vlorën, është abuzuar si vend terroristësh, si vendi i klaneve të kuqe, kur dihet që Vlora është një nga djepet e nacionalizmit, ku është ngritur flamuri i parë shqiptar, ku komunizmi ka patur më pak rrënjë se në çdo vend tjetër dhe ku PD-së i kanë dalë më zot se në çdo vend tjetër. Kështu që është një krim i madh ta akuzosh për shumë gjëra që po e akuzojnë sot…

Gëzim Zilja - …Gjendja në Vlorë është mjaft e rëndë, Vlora ndjehet e abandonuar, e fyer, e gënjyer dhe e mashtruar. Këtë Vlora nuk e duron dot. Po mbushet muaji i protestave në Vlorë dhe, po ta shikosh hollë-hollë, masat e qeverisë për përmirësimin e gjendjes janë pothuaj në nivelin zero…Përse është rebeluar Vlora? Vlora kërkoi paratë, por e rrethuan me ushtarë e policë dhe e goditën me shkop. Vlora këtë nuk e duron dot. Vlora kërkoi paratë, por Vlorën e harruan dhe thanë: “Po dalin ca ditë dhe pastaj do të kthehen në shtëpi”. Vlora kërkoi një zgjidhje ekonomike, por përveç disa deklaratave të papërgjegjshme, asaj nuk iu ofrua asnjë zgjidhje. Ose edhe ndonjë që iu ofrua, ishte tepër e justifikuar. Vlora kërkoi që në këtë kohë të keqe të madhe, t’i gjendej pranë.

Adhurim Musaraj - Janë 22 ditë, sot, demonstratash të huadhënësve në Vlorë dhe e teta grevë urie e studentëve të Universitetit “Ismail Qemali” e më në fund parlamenti e merr në analizë, kur unë do të thosha se parlamenti duhej të merrej me këtë situatë vazhdimisht, sepse njerëzit i kanë sytë nga ne. Paraja e humbur me të vërtetë është e hidhur, por në fund të fundit ne s’do ta konsiderojmë fundin e botës këtu…

Bashkim Kopliku - …Kërkesa numër një e grevistëve: heqja e kryeministrit Meksi, është krejt e ligjshme. Ju ftoj të bëhemi humanë, të pranojmë këtë kërkesë dhe t’i kërkojmë presidentit të Shqipërisë të drejtojë si rast i veçantëe përkohësisht, mbledhjet e Këshillit të Ministraves, që të firmosë aktet përkatëse në mbështetje të Vlorës…Edhe kërkesa e dytë e grevistëve vlonjatë: “kthimi i parave”, në thelb, po të mos ngecim në gramatika, është një kërkesë e drejtë dhe e ligjshme. Natyrisht nuk e kam fjalën as për prerje parash, as për shitje pasurie kombëtare e as për shpërndarje parash…

Azem Hajdari - …Studentët e Vlorës nuk po kërkojnë që të ndërrohet sistemi, ata vërtetë mund të kenë edhe ndonjë kërkesë ekstreme, por thonë që ju demokratët që jeni në parlament, që ne ju kemi besuar, ta ndërroni shpejt qeverinë…Nuk kam parë deri më sot kryeministrin të shkojë, ndonëse dhe mes gurëve, mes domateve, apo vezëve, tek populli, ai një ditë të pret mirë, një ditë të pret keq, dhe të diskutojë me ta për këto probleme, por kam dëgjuar të thotë: “T’i futim tanket, të bëjmë gjendjen e jashtëzakonshme, të ecim përpara, se mund t’i futim në asistencë këta njerëz”. Na ka rënë një hall i madh, na ka lindur në këtë parlament një Taotao i dytë. Greva pushon me ligjin e Taotaos, greva pushon kur një ministër të ndjehet kompetent e të thotë që unë jam përgjegjës dhe unë largohem, zotërinj!

Kozeta Menkulasi - …Grevistët e Vlorës, studentët, djemtë tanë, mund të dalin nga greva në qoftë se ne do të vemi të bisedojmë me ta hapur dhe t’u themi që ka dhe rrugëzgjidhje ekonomike…Ata që janë futur në grevën e urisë në Vlorë janë bij nënash dhe ne duhet të bëjmë çmos që t’i nxjerrim nga ajo grevë. Vijon

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›