E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH-ja: Administrata, 2.7 miliardë lekë shkelje

 

Raporti “përgënjeshtron” kryeministrin Berisha në lidhje me korrupsionin, duke deklaruar vlera të mëdha abuzimesh

TIRANË- Kryeministri Berisha nuk ka humbur pothuajse asnjë ditë të vitit për të deklaruar publikisht se ka zhdukur korrupsionin nga administrata shtetërore, por raportet e institucioneve të pavarura thonë krejtësisht të kundërtën. Gjatë tre viteve të qeverisjes “Berisha”, Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka publikuar qindra raste abuzimesh financiare. Raporti më i fundit i publikuar dje flet për një shumë dëmi rreth 2.7 miliardë lekë të rinj. KLSH-ja ka konstatuar në raportin e tij se dëmet më të mëdha financiare janë shkaktuar nga tatim-taksat, në fushën e prokurimeve, dogana, fushën e urbanistikës, shpërblimeve.

Zëdhënësi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Edvin Morava, pohoi se kontrollet në fjalë janë kryer gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti. “Në 116 kontrolle janë zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera me dëm efektiv në shumën totale 2.716.631.000 lekë. Ky dëm i përket veprimtarisë ekonomiko-financiare kohore 2005-2007 dhe 6 mujorit të parë të vitit 2008, përcaktuar për çdo subjekt të kontrolluar në programet e kontrollit”, - tha sot zëdhënësi i KLSH-së, Edvin Morava. Sipas tij, pothuajse gjysma e këtij abuzimi është konstatuar në tatim- taksa. Në raport pohohet se, kryesisht, shkeljet kanë ndodhur në qytetet e Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Vlorës dhe Pogradecit. Raporti bën të ditur se në tatim-taksa është shkaktuar një dëm i përgjithshëm në vlerën prej 1.008.887.000 lekë, në fushën e prokurimeve 718.582.000 lekë, në dogana 694.656.000 lekë, në urbanistikë 153.737.000 lekë, në fushën e shpërblimeve 13.403.000 lekë. Në fund të raportit të KLSH-së janë bërë edhe rekomandimet përkatëse, ku edhe është kërkuar zhdëmtimi i dëmit në masën 99.5 %. Përveç zhdëmtimit, KLSH-ja ka kërkuar edhe dhënien e 693 masave disiplinore dhe administrative ndaj atyre që kanë shkaktuar shkelje. “Për personat përgjegjës janë bërë edhe 24 kallëzime penale në prokurori”, - tha dje zëdhënësi i KLSH-së, Edvin Morava.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›