Rama në Londër, takime për situatën politike
TIRANË- Në ditën e dytë të vizitës së tij në Londër, kryetari i PS-së, Edi Rama, zhvilloi dje një takim me deputetin Mike Gapes, njëkohësisht kryetar i komisionit të Jashtëm Parlamentar. Takimi u përqendrua në situatën aktuale dhe zhvillimet më të fundit politike në Shqipëri. Gjatë bisedës nuk u la jashtë fokusit të diskutimeve as Kosova.Duke bërë një përmbledhje të zhvillimeve më të fundit në vend, Rama e vuri theksin në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke e cilësuar atë si një zhvillim të rëndësishëm për Shqipërinë dhe njëkohësisht shtroi nevojën që vendi ka, për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Rama theksoi domosdoshmërinë e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Në vijim të bisedës së tij, kreu socialist falenderoi deputetin Gapes për ndihmën që Britania e Madhe ka dhënë në pavarësinë e Kosovës. "Kosova, pas pavarësisë, ka nevojë për mbështetjen tuaj ekonomike. Duhet punuar ngushtë me qeverinë e Kosovës për të kapërcyer papunësinë dhe gjendjen e vështirë ekonomike, në të cilën ndodhen shqiptarët e Kosovës."- u shpreh Rama. Nga ana tjetër, deputeti britanik, Gapes, e ka falenderuar Ramën, si lider i opozitës, për maturinë politike të treguar gjatë fazës së marrjes së ftesës për në NATO dhe ka theksuar rëndësinë e çuarjes deri në fund të reformave në vend, duke u ndalur tek reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi.