AKKP: Për dy javë hapen 8 mijë dosjet e pazgjidhura
Cefa: Vendimet e reja të qeverisë nuk shtojnë dokumentacionin
Për dy javë pritet të nisë shqyrtimi i 8000 mijë dosjeve, të cilat kanë mbetur të pashqyrtuara pas shkrirjes së zyrave rajonale. Kreu i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Cefa, sqaron në një intervistë për standard se institucioni që ai drejton, po punon në mënyrë intensive për të përfunduar në afat shqyrtimi i këtyre kërkesave. Cefa sqaron edhe ish-pronarët se vendimet e reja të qeverisë, ndryshe nga sa janë interpretuar në media, nuk shtojnë dokumentacionin e kërkuar prej tyre. Ai pohon se këto vendime thjesht saktësojnë procedurat për të lehtësuar edhe më tej punën e AKKP-së që të zgjidhet sa më shpejt çështja e pronave.
Zoti Cefa, sa e zgjidhin ngërçin ku ishte futur AKKP vendimet e fundit të qeverisë për shqyrtimin e 8000 dosjeve?
Që në fillim duhet të sqarojmë diçka: këto vendime të Këshillit të Ministrave nuk është se janë vendime të reja dhe të dala për herë të parë, praktikisht kanë ekzistuar të gjitha këto vendime qeverie, por tashmë në kuadër të ndryshimeve që pësoi ligji i kthimit dhe kompensimit të pronave, është bërë dhe përshtatja edhe i akteve të tjera nënligjore, të cilat janë pikërisht këto 6 vendime të Këshillit të Ministrave.
Unë theksoj faktin se subjektet e shpronësuara nuk duhet të kenë asnjë lloj shqetësimi, sepse vërej që me dashje apo pa dashje është keqinterpretuar fakti që miratimi i këtyre vendimeve të Këshillit të Ministrave ka sjellë shtesë në dokumentacionin e pronësisë që një subjekt pretendues duhet të depozitojë në AKKP. Në fakt, nuk është absolutisht e vërtetë, madje është e kundërta. Këto vendime të Këshillit të Ministrave jo vetëm që nuk kanë shtuar asnjë lloj dokumentacioni ekstra që ishte parashikuar në vendimet e mëparshme, por kanë bërë disa ndryshimeve të vogla të cilat e thjeshtojnë dhe e sqarojnë më tepër procedurën e trajtimit të çështjeve të pronësisë në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Kjo duhet sqaruar, sepse në shumë deklarata apo në media kam parë një keqkuptim të opinionit publik lidhur me këto fakte. Sqaroj se pavarësisht faktit se u miratuan tani VKM-të apo jo Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka vazhduar normalisht punën e vet me përjashtim të zyrave rajonale, të cilat janë suprimuar me ligj dhe ne po vazhdojmë procesin e tërheqjes së arkivave dhe depozitimin në arkivën qendrore tashmë që do krijohet këtu në Tiranë.
Sa kohë do tëi duhet AKKP-së që të arkivojë të gjithë këtë dokumentacion dhe të nisë punën për 8000 kërkesat e mbetura tashmë prej kohësh në zyrat e saj pa mundur të marrin një përgjigje?
Nga zyrat rajonale, përveç 8000 mijë kërkesave, tashmë të ditura botërisht në fakt transferohen të gjitha dosjet, pjesa më e madhe e të cilave janë të pajisura tashmë me vendim, pra kanë vendim, por thjesht kanë vlerën e tyre arkivore. Në gjithë arkivën në përgjithësi të këtij institucioni të shtrirë në gjithë Republikën e Shqipërisë bëjnë pjesë edhe këto 8000 mijë kërkesa të shpërndara për të cilat nuk ka akoma një vendim, pra nuk është arritur akoma të shqyrtohet pretendimi i subjekteve në rrugë administrative. Menjëherë sapo të përfundojë procesi i transferimit të arkivës dhe i sistemimit të saj AKKP do fillojë trajtimin e këtyre kërkesave për të cilat nuk është marrë ende vendim. Kriteret ligjore janë tashmë të qarta, do të nisë trajtimi nga kërkesa më e vjetër në kohë dhe duke vazhduar me kërkesat e dorëzuara në limitet e afatit ligjor.
Ky afat shumë shpejt është...
Ne tashmë kemi transferuar në Tiranë mbi 50 për qind të arkivave të zyrave rajonale. Sigurisht që ky proces në vetvete është delikat dhe i vështirë për arsye se në shkallë kombëtare janë rreth 70 mijë dosje dhe transferimi shëndosh e mirë i tyre në Tiranë ka përgjegjësinë e vet dhe kërkon kujdes ekstrem. Për këtë arsye unë kam një bashkëpunim shumë, shumë të mirë me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, e cila ka vënë në dispozicion efektivat e saj për transferim të sigurt. Por përfundimi i tyre është çështje javësh, ndoshta dy javë apo tri dhe më pas do nisë puna për shqyrtimin e 8000 mijë ankesave.
Shqyrtimi i këtyre ankesave tashmë të dorëzuara në AKKP do të jetë sipas procedurave të reja, pra me një formular tip që tashmë kërkon dhe firmën e ministrit të Drejtësisë?
Absolutisht jo. Kërkesat të cilat janë dorëzuar brenda afatit ligjor të parashikuar nga ligji pra 31 dhjetori 2008 prezumohet se e kanë të plotësuar këtë formular. Pra në aktet e reja të qeverisë nuk është përcaktuar rishtar krijimi i këtij formulari. Ai ishte parashikuar dhe në aktet që janë sot në fuqi dhe konkretisht ishte vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 747 të vitit 2006, pra prezumohet i plotësuar nga subjektet të cilat kanë aplikuar. Sigurisht për subjektet të cilat nuk kanë arritur të aplikojnë brenda afatit, por me një vendim gjykate për vendosjen në afat kanë arritur të rivendosin të drejtën e tyre për të aplikuar në AKKP do ti nënshtrohen dhe ato plotësimit të këtij formulari që do jetë i shoqëruar me dokumentacionin provues të së drejtës së pronësisë.
Ligji parashikon përfundimin e këtij procesi në dhjetor të vitit 2211. Sipas jush zoti Cefa, sa është e mundur kjo?
Parashikimi i ligjit është ky që në datën 31 dhjetor 2011 duhet të ketë përfunduar procesi i njohjes fillestare të së drejtës së pronësisë. Sigurisht AKKP e cila është konsultuar paraprakisht, para se ky projektligj të shndërrohej në ligj ka dhënë mendimin e vet dhe nga vlerësimi ynë paraprak është konkluduar se kjo datë është e mjaftueshme. Nëse nuk do arrijmë këtë do e tregojë koha, por unë besoj se me kapacitetet e sotme, me organizimin e ri të kësaj agjencie, e cila është shndërruar në një agjenci fleksibël, më e shkathët dhe operative, jam i bindur se ne do arrijmë ta përmbyllim në afat. Ju kujtoj gjithmonë se llogaritë janë bëre referuar 8000 mijë kërkesave dhe këtu nuk është llogaritur fakti që shumë subjekte të tjerë po rivendosen në fat me vendime gjyqësore dhe një nga faktorët që do ndikojë është pikërisht dhe sasia e subjekteve që vijnë dhe aplikojnë rishtas bazuar në një vendim gjyqësor për rivendosjen në afat të kërkesës së tyre.
Ish-pronarët shprehin dyshime për përfundimin e këtij procesi. Madje, sipas tyre, ishte i parakohshëm vendimi për shkrirjen e zyrave rajonale...
Absolutisht jo. Shkrirja apo suprimimi i zyrave rajonale është bërë me qëllimin e vetëm që vendimmarrja të jetë më e sigurt, por dhe më operative, më e thjeshtuar. Nëse me ligjin e parë ishte parashikuar një vendimmarrje në dy shkallë administrative, pra vendimi fillimisht merrej nga zyra rajonale përkatëse dhe më pas rishqyrtohej dhe një herë nga AKKP dhe më pas kalohej në gjykatë; tashmë është eliminuar ankimimi administrativ, vendimi nga institucioni do të jetë një i vetëm dhe për këtë arsye afatet janë shkurtuar shumë. Dhe ne shpresojmë që të arrijmë ti përpunojmë të gjitha brenda afatit ligjor.
Pak ditë më parë, qeveria shtoi fondin fizik në dispozicion të AKKP-së dhe me një sipërfaqe prej 27 mijë m2. Sa ka shkuar në tërësi sipërfaqja e vënë në dispozicion të agjencisë për kompensimin fizik të ish-pronarëve?
Duhet të sqarojmë diçka, që fondi i kompensimit fizik është pasuruar dhe pasurohet sistematikisht me pasuri të ndryshme pronë shtetërore. Në kuadër të pasurimit të këtij fondi ishte dhe vendimi i radhës i Këshillit të Ministrave që shtoi një parcelë me sipërfaqe 27 mijë m2 në këtë fond. Ky fond pasurohet vazhdimit me sipërfaqe që rezultojnë si pronë shtetërore dhe të papretenduara nga subjekte të shpronësuara. Por theksoj se ky proces, i përcaktimit definitiv të fondit është i ndërvarur me trajtimin fillestar të kërkesave, pasi që një pasuri të kalojë në fondin e kompensimin fizik duhet të mos ke