AKP-ja s’ka aftësi ta menaxhojë dhe ristrukturojë Trepçën

Kombinati metalurgjik “Trepça” duhet të ristrukturohet dhe jo të privatizohet, thonë edhe udhëheqësit e kësaj ndërmarrje dhe njohës të çështjeve ekonomike.
Riorganizimi i gjigantit “Trepça” do të ringjallë zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, thotë Zenel Ibrahimi, zëvendësmenaxher i divizionit të shërbimeve të përbashkëta në kombinatin “Trepça", duke shtuar se për zbatimin e këtij projekti ekzistojnë kapacitete të mjaftueshme.
“Interes primar është që 'Trepça' të ristrukturohet në të ashtuquajturën 'Trepçë e re', e cila do të rrisë kapacitetin e prodhimit, të rrisë numrin e punëtorëve, sepse ka xehe të mjaftueshme edhe për shumë vite”, thekson Ibrahimi për Radion Evropa e Lirë.
Aktualisht, “Trepça” është në procedurë të riorganizimit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ndërkohë që Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës nuk kanë ndikim në rrjedhën dhe menaxhimin e saj.
Bardhyl Meta, nga Oda Ekonomike Gjermane, konsideron se ristrukturimi është i nevojshëm, por në radhë të parë këtë kombinat nuk duhet ta menaxhojë AKP-ja.
Sipas tij, çështja e “Trepçës” ende qëndron pezull pasi nuk dihet kush është përgjegjës në dështim, ose kush mund të jetë meritor për sukseset eventuale.
“Askund në botë një agjenci e privatizimit nuk është e njohur për menaxhim dhe ristrukturim të firmave, si dhe shndërrimi i tyre nga të pasuksesshme apo të falimentuara në të suksesshme. Atëherë lind pyetja, kush janë ata menaxherë me famë botërore në AKP që bëjnë ristrukturimin e Trepçës?”, pyet Meta. Prandaj, ai konsideron se nevojiten debate të mëtutjeshme, pasi që, sipas tij, Trepça është aset kombëtar dhe nuk guxon të shkojë në procedura skandaloze të privatizimit.
“Trepça duhet të hiqet si lëndë në AKP, nuk duhet të hyjë në ato procedura dhe të shkojë në rrjedhat e privatizimeve skandaloze që kemi pasur në Kosovë, kjo nuk do të thotë se kjo duhet të shtetëzohet, por t'i shikojmë format dhe modalitet më të mira për ringjalljen e Trepçës”, vlerëson ai./Indeksonline/