E Diel, 1 Nëntor 2026

OJQ-të i shkruajnë Quintit, Amnistia rrënon sundimin e ligjit

Plot 34 organizata joqeveritare i kanë shkruar letër të hapur vendeve të Quint-it dhe zyrës së BE-së në Kosovë për të shprehur shqetësimin e tyre dhe kundërshtimin rreth miratimit të Projektligjit për amnistinë në versionin aktual. Shoqëria civile ankohet se miratimi i projekt-ligjit në këtë formë do të minonte të gjitha përpjekjet për sundim të ligjit në Kosovë.

“Ky Projektligj për amnisti – nëse miratohet – do t’ia jepte goditjen e fundit punës së madhe të bërë të mijëra kosovarëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtar, të cilët kanë punuar për një shtet që është i bazuar në sundim të ligjit”, thuhet në letrën e hapur të shoqërisë civile.

“Ne fuqimisht besojmë që ky projektligj duhet të rishqyrtohet dhe të kthehet prapa për debat dhe ekspertizë demokratike e procedurale, ku shoqëria civile dhe dëgjimi publik mund të jenë pjesë e saj, që të sigurohet një ligj i ri për amnisti, që do të shërbente edhe për riintegrim të pjesës veriore të Kosovës, si dhe sundim të ligjit në gjithë shtetin”.

Letra e dërguar ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë, si pesë vendet që përbëjnë Quintin, thotë se shoqëria civile e kupton që në parim amnistia është e nevojshme për të riintegruar pjesën veriore të Mitrovicës në kornizën juridike të Kosovës. Por, sipas kësaj letre, amnistia për këtë pjesë të Kosovës nuk mund të jetë një amnisti e përgjithshme për 69 vepra penale në pjesët e tjera të vendit.

Shoqëria civile thekson se projektligji aktual, ndër të tjera, siguron amnisti universale në nivel vendi për shmangien nga taksat, dëmtim dhe mbajtje ilegale të pronave publike e private, aktivitete ilegale mjekësore dhe farmaceutike, si dhe për kontrabandues, shkelje të të drejtave të njeriut; nepotizëm, spiunimin dhe/apo shpronësim të shërbimeve publike.

“Nëse ky projektligj për amnisti miratohet, faljet që do të bëhen përmes kësaj seriozisht do të vështirësojë gjithë punën e bërë nga Prokuroria dhe Gjyqësia e Kosovës, si dhe nga EULEX-i për luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, krimit financiar, kurse do të rrezikojë seriozisht edhe kriterin e specifikuar nga Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave për sundim të ligjit, pastaj dialogun me BE-në për sundim të ligjit, negociatat e ardhshme për MSA-në, thënë shkurtimisht, të gjithë investimin për një Kosovë të drejtë në 14 vjetët e fundit”, thuhet në letrën e nënshkruar nga 34 OJQ, që funksionojnë në nivel të vendit./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›