Zgjedhjet e 3 nëntorit në veri organizohen nga KQZ-ja

Zgjedhjet lokale do të mbahen në tërë territorin e Kosovës dhe sipas ligjit për zgjedhjet, standardet ndërkombëtare dhe Kushtetutës së Kosovës. Ashtu siç e parasheh edhe marrëveshja, në zgjedhjet lokale, që do të mbahen me 3 nëntor, për herë të parë pritet edhe pjesëmarrja e qytetarëve serbë të katër komunave të pjesës veriore, është konkluzioni që doli nga bisedimet e grupit punues për zgjedhjet, në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Sipas komunikatës së Qeverisë, në agjendën e takimeve dyditëshe për zbatimin e marrëveshjes për normalizim në Bruksel, ishte definimi i rolit lehtësues të OSBE-së në katër komunat me shumicë serbe, dhe me këtë rast u arritën konkluzionet për këtë çështje dhe ky rol lehtësues i BE-së do të përcaktohet përmes një marrëveshjeje teknike në mes të KQZ-së së Kosovës dhe OSBE-së, që pritet të nënshkruhet së shpejti.
“Pala kosovare ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të organizuar zgjedhje të lira dhe demokratike, ku çdo qytetari pa dallim do t’i mundësohet e drejta për të votuar dhe për t’u zgjedhur dhe se të gjitha komunitetet do të përfaqësohen proporcionalisht në mekanizmat përkatës të organizimit të zgjedhjeve. Ashtu siç parashihet edhe me legjislacionin në fuqi, do të ndërmerren të gjitha masat për të siguruar mbajtjen e zgjedhjeve në një atmosferë të tolerancës demokratike, paqes dhe respektit për sundimin e ligjit”, thuhet në njoftim. 0
Të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve, siç janë lista e votuesve, regjistrimi dhe certifikimi i partive politike, akreditimi i vëzhguesve të zgjedhjeve, kodi i mirësjelljes së subjekteve politike, kandidatëve të tyre dhe mbështetësve, procedurat e votimit, numërimit dhe shpalljes së rezultateve, etj., që të gjitha do të administrohen nga KQZ-ja e Kosovës.
Në bisedimet e mbajtura në Bruksel, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ishte e shoqëruar nga Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, dhe Abedin Mehmeti, kryeshef i ARC-së./Indeksonline/