E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKP shpërndan mbi 3.6 milionë euro për punëtorët e ''Ramiz Sadikut''

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka ekzekutuar vendimin për shpërndarjen e pjesshme të pjesës 20 % për punëtorët e ndërmarrjes shoqërore “Ramiz Sadiku” në Prishtinë. Gjithsej 1281 punëtorë janë kualifikuar në listën e punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje dhe shuma që do t’u shpërndahet këtyre punëtorëve nga pjesa e 20 %-it është 3 milionë e 698 mijë e 724 euro.

Agjencia këtë shumë të mjeteve e ka bartur në llogari të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ashtu siç është e përcaktuar ligjërisht mënyra e shpërndarjes së 20 % për punëtorët, ndërsa BSPK do të shpërndaj mjetet te secili punëtorë në llogari individuale.

Lista e punëtorëve të ndërmarrjes shoqërore “Ramiz Sadiku” është ndër listat më të mëdha për nga numri i punëtorëve dhe për nga shuma e mjeteve që i shpërndahen punëtorëve të ndërmarrjeve të privatizuara dhe paraqet sukses të veçantë për Agjencinë dhe motivim për stafin e AKP-së për punë dhe suksese të reja në të ardhmen.

Nga privatizimi i ndërmarrjes shoqërore “Ramiz Sadiku”, janë mbledhur gjithsej 22 milionë e 939 mijë e 860 euro. Në total deri më tani Agjencia ka shpërndarë mbi 74 milionë euro nga pjesa e 20 %, kurse kanë përfituar 36 mijë e 300 (ish) punëtorë të ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara, thuhet në njoftimin e AKP-së./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›