AKR: Pal Lekaj po pengon zhvillimin e Komunës

Kryesia e Degës së AKR-së në Gjakovë, ka reaguar kundër kryetarit të kësaj komune Pal Lekaj, i cili dje ka ndaluar ministren e Tregtisë Mimoza Kusari-Lila, që të bëjë hapjen e ceremonisë së projekti “Qendra Inovative" në Gjakovë.
“Kryesia e Degës së AKR-së në Gjakovë shpreh indinjatën e vet lidhur me veprimin e Kryetarit të Komunës së Gjakovës Dr. Pal Lekaj, i cili pengoj ceremoninë hapëse gjegjësisht vendosjen e gurëthemelit për Inkubatorin e Biznesit “Qendra Inovative” në Gjakovë nga ana e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Tregtisë dhe Industrisë Zonja Mimoza Kusari- Lila” thuhet në komunikatën e kësaj dege.
Sipas degës së AKR-së në Gjakovë, këto veprime janë jo demokratike dhe pengojnë zhvillimin ekonomik të kësaj komune.
“Konsiderojmë se këto veprime jodemokratike, të njëanshme dhe arbitrare të Kryetarit të Komunës janë pengesa për avansimin e proceseve ekonomike në Komunë, i dekurajojnë Investitorët potenciale dhe në asnjë mënyrë nuk shkojnë në favor dhe interes të qytetarëve, andaj si të tilla duhet gjykuar.
Tentim politizimi i angazhimeve për zhvillim ekonomik nga ana e Kryetarit të Komunës së Gjakovës nuk i bën nder askujt e aq më pak qytetarëve të Komunës të cilët ballafaqohen me probleme të shumta ekonomike dhe sociale” thuhet në komunikatë.
Ndër të tjera, Kryesia e Degës së AKR-së në Gjakovë gjykon të dëmshëm këtë veprim të Kryetarit të Komunës dhe përkrahë e mbështet çdo iniciativë dhe veprim konkret të ndërmarrë nga institucionet e Kosovës dhe shoqëria civile, gjithnjë në dobi të zhvillimit social dhe ekonomik i cili aq shumë i mungon Komunës së Gjakovës.
Mimoza Kusari dhe Pal Lekaj kanë garuar bashkë për kryesimin e Gjakovës. Garën e kishte fituar Lekaj dhe tash është kryetar i Gjakovës./Indeksonline/