Petroviq: Dialogun e bëmë realitet

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Sllobodan Petroviq, ka themeluar degën e Partisë së Pavarur Liberale në Kamenicë. Kryetar i kësaj dege është zgjedhur me votim të hapur, Dragisha Saviq. Petroviq, ka thënë se politika e promovuar në themelim të partisë së tij se vetëm dialogu mund të zgjidh problemet është bërë realitet.
Saviq në fjalën e tij falënderuese ka thënë se partia e tij edhe pse nuk e kishte mbajtur kuvendin e parë ka funksionuar për kohë të gjatë në Kamenicë.
“Përmes kësaj partie dhe ministrive që ajo drejton ne kemi implementuar në Kamenicë projekte të rëndësishme siç është rruga anësore në qytet, asfaltimi në Bosce, renovimi i kishës në Kamenicë dhe shume projekte të tjera të inftastrukturës”, ka thënë Saviq. Ndërsa kryetari i PPL-së, Sllobodan Petroviq, ka thënë se partia e tij ka arritur të ndryshoj pamjen e Kamenicës dhe të shumë komunave të tjera me angazhimin e vet përmes projekteve nga ministritë që drejton në qeverinë e Kosovës.
“Kemi pasur tri qëllime kur e kemi themeluar partinë, mbetjen e serbëve në Kosovë, përmirësimin e jetës së tyre dhe kthimin e të shpërngulurve nga Kosova. Për këto qëllime ne kemi punuar dhe jemi të lumtur që puna jonë ka dhënë rezultatet e veta. Nuk kemi dashtë me rrejë as veten tonë, as popullin dhe as miqtë tanë jashtë Kosovës, duke promovuar patriotizëm të rrejshëm e të lirë. Ajo që na dallon nga të tjerët është se ata e dinë çka nuk donë, ndërsa ne e dimë çka duam”, ka thënë midis tjerash në fjalën e tij, para delegatëve të PPL-së , Sllobodan Petroviq, raporton Express.
Ai ka theksuar se Kamenica e ka bërë partinë e tij të jetë më e përgjegjshme duke i dhënë 700 vota, ndërsa pret që e tërë puna e tij dhe strukturave e anëtarëve të partisë të dyfishoj këtë numër votash në zgjedhjet e ardhshme. “Jemi të lumtur që politika jonë e promovuar në themelim të partisë se vetëm dialogu mund të zgjidh problemet ka fituar. Sot ju e shihni se ajo që ne e kemi promovuar shumë vite më parë po ndodh në realitet”, ka thënë Petroviq./Indeksonline/