Moisiu: Nishani gaboi me Ina Ramën

Zëvendësimi i Ina Ramës ishte antikushtetues. I këtij mendimi është ish-presidenti Moisiu, një ditë pasi Kuvendi votoi Adriatik Llallën, si pasues të saj.
Ish- numri një i shtetit u shpreh se Llalla, që këtej e tutje, duhet të bëjë kujdes me zbatimin e ligjit.
“Për mendimin tim ishte shkelje kushtetuese. Nuk është vetëm mendimi im por dhe i konstitucionalistëve dhe juristëve. Ne duhet të heqim dorë nga këto shkelje, sepse ne jemi shtet demokratik. Unë do të dëshiroja që në të ardhmen mos të përsëriten gjëra të tilla. Ne shqiptarët kemi nevojë të mësohemi të zbatojmë ligjet, sepse mungesa e kulturës ligjore tek politikanët tanë, është shumë e dëmshme”, tha Moisiu, raporton “AS”.
Shkak i kësaj përplasjeje kushtetuese, sipas ish-kreut të shtetit, është boshllëku ligjor. Pra, pasaktësia në ndryshimet kushtetuese të 2008-ës, për fillimin dhe mbarimin e mandatit të kryeprokurorit, që ishte në detyrë në atë kohë.
“Ndryshimet kushtetuese që u bënë në vitin 2008 nuk kishin asnjë dispozitë kalimtare, që normalisht duhet të jetë në këto raste dhe kur afati i caktuar i ndryshimeve kushtetuese nuk përputhet me afatin normal të detyrës,” tha Moisiu.
Në datë 3 dhjetor, presidenti Nishani zbuloi emrin që do të kryesojë Prokurorinë e Përgjithshme për 5 vitet e ardhshme, emër i cili mori, bekimin të premten në Kuvend./Indeksonline/