E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKR beson se Kurti do të dëshmojë pafajësinë e tij

Aleanca Kosova e Re (AKR) mirëpret vendimin e Lëvizjes “Vetëvendosje” për t’u kyçur në jetën politike të vendit, ndërsa kërkon që rasti i Albin Kurtit të zgjidhet pa ndikime politike, duke besuar se drejtësia do të dalë shumë shpejt me vendim lidhur me këtë çështje, përfshirë edhe ngjarjet e 10 shkurtit 2007.

Në një kumtesë për media të dielën, AKR vlerëson se sistemi i gjyqësorit në Kosovë gjatë kohës së UNMIK-ut nuk ka funksionuar si duhet në menaxhimin e rastit të liderit të “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, duke bërë që EULEX-i të trashëgojë një rast të tillë të ndjeshmërisë së lartë.

Organet e drejtësisë së Kosovës, sipas AKR-së, kanë dëshmuar edhe një herë se kanë nevojë për reforma të thella në sistemit që kanë ndërtuar.

“Ato me mungesën e përgjegjësisë dhe profesionalizmit që kanë treguar në këtë rast, kanë bërë që çështja Kurti, të komplikohet deri në këtë masë sa të kemi skena të tilla çfarë e kemi parë këto ditë”, thuhet në reagim.
AKR beson se Kurti do të dëshmojë pafajësinë e tij, përballë akuzave që i bëhen, për t’i dhënë fund kështu kësaj çështje të tejzgjatur dhe të ndërlikuar.

Njëherësh, AKR i dëshiron mirëseardhje Lëvizjes politike “Vetëvendosje”, në skenën politike në Kosovë dhe se hyrja në politikë e kësaj Lëvizje e pasuron skenën politike në vend.

“Kosova ka nevojë më se kurrë për aktivizimi e njerëzve të denjë dhe të sinqertë në skenën politike dhe qytetarët e Kosovës tashmë do të kenë një alternativë më shumë”, përfundon reagimi i AKR-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›