E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKR-ja: Indolencë e pavendosmëri e institucioneve të Kosovës

Prishtinë, 16 gusht – Vizitat e zyrtarëve të lartë serbë, të cilët po vizitojnë Republikën e Kosovës, dhe sidomos deklaratat  dhe mesazhet e tyre  politike, janë shkelje e drejtpërdrejtë e lejeve që ata marrin nga institucionet e Kosovës  dhe ato ndërkombëtare në Kosovë, u tha në konferencë me gazetarë në Aleancën Kosova e Re, të hënën. Nënpresidenti i këtij subjekti politik, Ibrahim Gashi tha se edhe vizita e djeshme e zv/kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiq, ishte në linjë të njëjtë me vizitat e deritashme. “Edhe Daçiq, si kolegu i tij Bogdanoviq ditë më parë, në takim më qytetarë dhe klerikë serb të manastirit të Graçanicës, foli për të gjitha çështjet aktuale në marrëdhëniet Kosovë – Serbi”. Sipas Gashit, të gjitha temat për të cilat foli ai ishin ekskluzivisht politike. 
Gashi në vijim vlerësoi se institucionet e Kosovës po tregohen shumë indolente dhe të pavendosura. “Ato po deklarojnë se kanë dhënë lejen për këto vizita dhe, në anën tjetër, nuk po i fusin këto vizita në kornizat e protokollit të shtetit. Zyra e Protokollit nuk po përfillet fare”.
Nëse për shkak të presionit ndërkombëtar, institucionet tona e kanë të pamundur t’i fusin vizitat e zyrtarëve serbë në formatin protokollar, atëherë Qeveria e Kosovës do të duhej të ishte më rigoroze që karakteri i vizitës, konform lejes së dhënë të respektohej në mënyrë strikte, është shprehur nënpresidenti i AKR-së dhe përgjegjës për marrëdhënie me jashtë.  “Në të kundërtën, zyrtari që gjatë vizitës së tij nuk do të respektonte karakterin e deklaruar të vizitës do të duhej që të shpallej person i padëshirueshëm”. Për çudi, vijoi ai,  Qeveria e Kosovës gjithnjë i ka mbyllur sytë përpara këtij fakti. Ajo nuk ka ndëshkuar asnjë nga zyrtarët serbë që kanë hyrë dhe kanë dalë në Kosovë më dhjetëra herë dhe gjithnjë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo kontekstuale kanë zhvilluar propagandë kundër vendit tonë.
Gashi foli edhe për kredibilitetin dhe performancën e diplomacisë kosovare në vendet me të cilat tashmë kemi marrëdhënie diplomatike. “Unë do të përmend vetëm rastin kur për njërin nga ambasadorët tanë  të akredituar, nga persona kompetentë thuhet se ai është duke u hetuar  për aferë korruptive”, tha ai, duke shtuar se për këtë dhe shumë vërejtje tjera në adresë të përfaqësive diplomatike e konsullore të Kosovës do t’i paraqesë në komisionin përkatës dhe në seancat e Kuvendit të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›