E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti dhe Kryeministri i Kosovës, letra anëtareve të OKB-së

Prishtinë, 16 gusht - Në vijim të mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për pavarësinë e Kosovës, presidenti i Republikës, dr. Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri Hashim Thaçi u kanë dërguar këto ditë nga një letër krerëve të shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), si dhe udhëheqësve të organizatave ndërkombëtare, si Konferenca Islamike, Liga Arabe, Caricom-i, Organizata e Shteteve Amerikane, OSBE-ja, Këshilli i Evropës etj. Po ashtu, kjo letër i është dërguar edhe Catherine Ashtonit, përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri.

Letra, e cila bën thirrje për njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të OKB-së, të cilat ende nuk e kanë bërë këtë, po ashtu, u kërkon vendeve anëtare të OKB-së që ta refuzojnë përkatësisht të votojnë kundër rezolutës së sponsorizuar nga ana e Serbisë, e cila pritet të jepet për votim gjatë javëve të ardhshme.

“Në vazhdën e zhvillimeve të reja pas mendimit të GJND-së, i cili ka konfirmuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me respekt të veçantë u kërkojmë të gjitha vendeve anëtare të OKB-së që të kundërshtojnë rezolutën e sponsorizuar nga Serbia si një veprim krejtësisht i panevojshëm dhe si një kritikë e papranueshme ndaj GJND-së”, thuhet mes të tjerash në letër.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›