AKSh-në, s’e regjistron KQZ-ja

Ardhmëria Kombëtare Shqiptare (AKSh) është themeluar në fillim të marsit të këtij viti, pikërisht në Prekaz thonë drejtuesit e saj, por që u ka dalë telashe me emrin dhe akronimin e kësaj partie të re, e cila thirret në frymën e ribashkimit kombëtar.
Edhe pse kjo parti i ka bërë kërkesë Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për certifikim, kjo e fundit më 28 maj të këtij viti ia ka kthyer një përgjigje negative për shkak të emrit dhe problemeve administrative që kjo parti ende nuk i ka plotësuar.
Sipas kreut të Këshillit Nismëtar të kësaj partie, një prej arsyeve që kjo parti ende nuk është certifikuar është edhe emri dhe akronimi i këtij emri, i cili, sipas tij, nga KQZ-ja u është thënë se ai po krijuaka tensione ndëretnike dhe religjioze.
Kastriot Bushi, ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj KQZ-së, e cila nuk e ka licencuar këtë parti.
“Këtu paraqitet një udhëzim që thotë ndër të tjera se nuk e pranon emrin e akronimin dhe me qëllim që të mos ketë përmbajtje që nxit urrejtje etnike apo religjioze. Ne nuk besojmë se akronimi nxit dhunë ose urrejtje, sepse akronimi nuk e përcakton çështjen kombëtare. Ka akronime të tilla si ’Abetarja Kombëtare Shqiptare’, ‘Asambleja Kombëtare Shqiptare’, ‘Akademia Kombëtare e Shkencës’, në qoftë se akronimi e përcakton një çështje historike ne nuk e mendojmë një gjë të tillë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se nuk do të heqin dorë nga emri dhe akronimi i partisë së tyre dhe ka thënë se një gjë të tillë do ta çojë edhe në gjykatë.
Këtë situatë e ka konfirmuar për Kosovapress, përmes telefonit, edhe anëtari i KQZ-së nga radhët e AAK-së, Binak Vishaj, i cili ka thënë se kjo parti nuk është certifikuar për shkak të emrit dhe disa kushteve të tjera që kjo parti ende nuk i ka plotësuar.
“Arsye pse partia e cila kërkon të regjistrohet, në këtë rast AKSh-ja, një prej tyre ka qenë edhe akronimi dhe ata nuk kanë paraqit status të partisë. Nuk kanë paraqit program, nuk kanë pasur lider dhe u kemi kërkuar që ata t’i plotësojnë kushtet që duhet t’i plotësojnë sikur secila parti politike dhe prapë ta shqyrtojmë mundësinë për regjistrim si subjekt politik”, ka thënë Vishaj për Kosovapress.
Arsyetimi i KQZ-së e ka irrituar drejtuesin e kësaj partie, duke thënë se në vetë KQZ-në ekzistojnë parti serbe që kanë emërtime jashtë kushtetuese dhe kanë programe radikale dhe, sipas tij, kjo askujt nuk po ia vret veshin.
“Ka parti serbe që janë në parlamentin e Republikës së Kosovës që e përmendin ‘Kosova dhe Metohia’ dhe kurrkujt nuk ia vret veshin. Një akronim i tillë ka rastisë, ka asociuar me qenë i tillë dhe emrin. Kështu e kemi lënë e nuk besoj se dikujt ia vret veshin dhe nuk besoj se është nxitje e dhunës. Problemi është këtu se KQZ-ja ka paragjykuar si institucion”, ka thënë ai.
Lidhur me vendimin e KQZ-së për mos certifikim të kësaj partie me këtë emër, Vishaj, ka thënë se një ndër arsyet ka qenë edhe akronimi i saj, kur dihet se akronimi AKSh nga qarqet ndërkombëtare është cilësuar si organizatë terroriste.
“Nëse i marrim inicialet e tyre si AKSh, ju e dini se AKSh-ja prej faktorëve ndërkombëtar është konsideruar një prej organizatave kriminale dhe ne kemi kërkuar që ata ta rishqyrtojnë edhe këtë dhe mundësisht ta ndryshojnë edhe emrin e subjektit politik”, ka thënë Vishaj.
Ndryshe, kjo iniciativë politike, në programin e saj ndër të tjera ka ribashkimin kombëtar. Sipas drejtuesve të saj, kjo iniciativë planifikon të shkrihet në të gjitha komunat e Kosovës, për të vazhduar pastaj edhe në mbarë hapësirën shqiptare si dhe në diasporë. /kosovapress/