E Shtunë, 31 Tetor 2026

Selimi merr pjesë në Këshillin Evropian për Punë të Jashtme

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, është duke qëndruar në një vizitë të shkurtër në Berlin, i ftuar nga Këshilli Evropian për Punë të Jashtme.

Këshilli është një organizatë pan-evropiane që mbledh ekspertë, diplomatë, anëtarë parlamentesh nacionale, liderë shtetesh evropiane ndërsa takimi i sivjetmë tradicional ka mbledhur në Berlin disa nga fytyrat më të njohura të diplomacisë euroatlantike, përfshirë kryetarin e Këshillit të BE-së, Herman Van Rumpuy, Javier Solana, George Soros, Albert Rohan, David Milliband, Ema Bonino, Stefano Sanino, Joschka Fischer, etj.

Zëvendësministri Selimi është diplomati i vetëm nga Ballkani i ftuar si mysafir special në Këshill.

Mbledhja vjetore e Këshillit Evropian këtë vit është fokusuar në debatet rreth çështjeve kryesore që preokupojnë diplomacinë evropiane sot, përfshirë krizën në Siri dhe Iran, çështjet e zgjerimit të Ballkanit, krizën e Euros etj.

Zëvendësministri Selimi ka prezantuar çështjet kryesore që preokupojnë politikën e jashtme të Kosovës dhe situatën e përgjithshme në Ballkan.

Gjatë sesionit të sivjetmë të Këshillit Evropian për Punë të Jashtme është raportuar edhe bashkëpunimi ndërmjet kësaj organizate dhe MPJ-së së Kosovës, duke konsideruar edhe marrëveshjen afatgjate që do t’ua mundëson diplomatëve të rinj kosovarë të trajnohen në zyrat e Këshillit në Londër, Berlin, Varshavë apo Paris si dhe bashkëpunimin në organizimin e konferencës “Gërmia Hill 2”, që sivjet pritet të mbledhë fytyrat kryesore të diplomacisë euro-atlantikë në Kosovë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›