AKU kthen në vendin e origjinës 5 ton produkte deti

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se ka kthyer në vendin e origjinës të paktën 5 ton produkte deti për arsye të prishjes së zinxhirit ftohës. Produktet kishin ardhur me sistemin RAFFS në portin e Durrësit.
Bashkë me njoftimin AKU u bën thirrje subjekteve të respektojnë standardet dhe rregullat e sigurisë ushqimore.
Gjatë javës 9-15 tetor AKU ka kryer në shkallë vendi mbi 2138 inspektime në subjekte të ndryshme tregtare ushqimore.
Nga kontrollet e kryera, janë asgjësuar 35538 kg produkte që kanë rezultuar jashtë standardeve për konsum.
Për shkeljet e konstatuara AKU ka vendosur 9 masa administrative gjobë në vlerën 950 mijë lekë, si dhe ka dhënë 104 masa administrative paralajmërime për mangësitë e evidentuara.