E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Aksidentet, 1 polic për çdo kilometër rrugë

Kryeministri i ka kërkuar policisë që të parandalojë aksidentet dhe të pastrohet nga punonjësit e inkriminuar
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha urdhëroi Policinë e Shtetit t'i kushtojë më shumë vëmendje rrugëve që po përgjaken përditë e më shumë nga aksidentet, por edhe të vazhdojë luftën kundër korrupsionit. I pranishëm në analizën vjetore të policisë, Berisha ka vlerësuar punonjësit e policisë, ndërsa nuk i ka kursyer edhe kritikat. Kreu i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, prezantoipara të pranishmëve rezultatet e arritura gjatë vitit 2007, ndërsa siç edhe është bërë traditë, renditi edhe prioritetet kryesore të punës për vitin 2008. Përveç Berishës, edhe kryeprokurorja Ina Rama ka bërë me dije probleme, kryesisht në funksionimin e Policisë Gjyqësore.
Pasi ka vlerësuar punën e policisë së shtetit, duke i atribuar ndryshimin eimazhit të Shqipërisë, Berisha ka vënë theksin tek aksidentet rrugore."Në dy vite, sot ju mund të krenoheni për punën e bërë. Shqipëria ka ndër treguesit më të mirë të luftës kundër kriminalitetit'- iu drejtua kryeministri punonjësve të dikasterit blu, gjatë analizës së veprimtarisë së saj për vitin 2007. Përpos vlerësimeve, Berisha ka vazhduar edhe me kërkesat që policia duhet t'i realizojë gjatë këtij viti e në vazhdim. Aksidentet rrugore, të cilat kohët e fundit kanë shkaktuar shumë të vrarë, kanë qenë një nga shqetësimet e shprehura prej tij. Sipas Berishës,rruga Fushë Krujë-Milot, ku po ndodhin shumë aksidente duhet të "blindohet" me policë. "Në çdo kilometër të qëndrojë një punonjës policie, pasi kështu nuk mund të vazhdojë më tej. Ky aks rrugor po përpin shumë jetë njerëzish",-ka thënë kryeministri.Më pas, Berisha ka vendosur theksin mbi luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, ka ende të korruptuar në radhët e policisë, të cilët duhet të spastrohen, ndërsa urdhëroi drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit t'i dorëzojë prokurorisë të gjitha dosjet e vartësve të korruptuar nëpër rrethe. Lufta kundër lëndëve narkotike dhe kontrollet rigoroze të kufijve kanë qenë dy porositë e tjera të Berishës për policinë.
Gjatë këtij viti, në vendin tonë kanë ndodhur 9888 krime, ndërsa janë zbuluar 7830 prej tyre. Në vitin 2007 rezulton se është rritur numri i veprave penale të evidentuara, ndërsa policia ka goditur 131 grupe kriminale me 503 të arrestuar, 16 grupe për krime të rënda me 63 të arrestuar, 48 grupe për korrupsion dhe krim ekonomiko-financiar me 220 të arrestuar. Sipas statistikave të prezantuara dje, janë shkatërruar 36 grupe për trafik droge me 149 të arrestuar, 31 grupe për trafiqe të paligjshme me 271 të arrestuar. Gjatë vitit 2007 kanë ndodhur 92 vrasje, ku 24 prej tyre janë vrasje brenda familjes. " Thellimi i luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar e në veçanti kundër trafiqeve të paligjshme, do të jetë synimi kryesor i Policisë së Shtetit, gjithashtu rritja e standardeve të shërbimit të policisë kufitare, si dhe marrja e masave për rritjen e sigurisë në rrugë dhe parandalimin e shkeljeve të qarkullimit rrugor janë prioritetet kryesore të vitit 2008' -u shpreh kreu i policisë së shtetit, Ahmet Prençi.
STATISTIKA
9888
Krime kanë ndodhur në vend gjatë vitit 2007. Nga llogaritjet i bie që çdo ditë ndodhin 27 krime në të gjithë vendin
131
Grupe kriminale janë goditur nga Policia e Shtetit. Nga operacionet e mësipërme kanë përfunduar në pranga 503 autorë
48
Grupe të akuzuara për korrupsion dhe krime financiare jane goditur nga policia në vitin 2007. Janë arrestuar 220 autorë
92
Vrasje kanë ndodhur në të gjithë vendin, gjatë vitit që lamë pas. 24 prej këtyre vrasjeve kanë ndodhur brenda familjes
INA RAMA
Në këtë veprimtari fjalën e mori edhe kryeprokurorja Ina Rama, e cila kërkoi që policia gjyqësore duhet të administrojë më mirë provat në vendin e ngjarjes. Ajo pohoi se krijohet ende ngërç, për shkak të mosfunksionimit të kësaj strukture
BUJAR NISHANI
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani vlerësoi punën e bërë nga Policia e Shtetit gjatë vitit 2007. Ai dha garanci se për vitin 2008, policia do të jetë më e fokusuar për të luftuar korrupsionin me tolerancë zero, edhe në radhët e saj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›