ALUIZNI, gati dosjet për 2 mijë ndërtime informale
Fabiola Çela
Brenda kësaj jave Agjencia e Legalizimit do të përfundojë së hartuari dosjet për 2 mijë ndërtime informale në Tiranë. Këto dosje do të dërgohen për miratim në mble-dhjen e ardhshme të qeverisë. Sipas burimeve nga ALUIZNI, deri më tani ka përfunduar miratimi i dosjeve rreth 80 për qind të ndërtimeve informale në kryeqytet.
Procedurat
Për të gjitha ndërtimet informale, që janë ndërtuar në tokë shtetërore apo në tokën e pronarëve të ligjshëm, ekspertët e ALUIZNI-it kryejnë matjet në terren dhe pas kësaj përgatisin dosjet përkatëse. Pas kësaj dosjet e hartuara nga ALUIZNI dërgohen për miratim në qeveri. Në këtë moment fillon e përgatitet vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili konsiston në kalimin e pronësisë, pra kjo sip toke i kalohet në pronësi ndërtuesit të ndërtimit informal, për t’u bërë e gatshme për të plotësuar lejen e legalizimit dhe më pas kartelën e pronësisë. Me daljen e vendimit, përgatitet fatura sipas sipërfaqes. Çdo qytetar duhet ta likuidojë atë pranë sporteleve të bankës. Pas likuidimit të kësaj fature, paraqitet te noteri përfaqësuesi i ALUIZNI dhe qytetari që ka ndërtuar. Bëhet akti noterial dhe pas kësaj mbyllet i gjithë cikli. Pra Agjencia e Legalizimit, pasi jep lejen e legalizimit, kryen edhe plotësimin e kartelës së pronësisë, kartelë e cila dërgohet edhe në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. “Pra në momentin që qytetarit i publikohet emri në listat e miratuara nga qeveria, atëherë ai shkon e merr faturën e vlerës së truallit pranë zyrave të ALUIZNI-it, dhe pasi kryen pagesën ai duhet të nënshkruaje aktin noterial. Pas kësaj ALUIZNI-i i dorëzon lejen e legalizimit dhe në të njëjtën kohë që merret leja e legalizimit agjencia dërgon edhe dokumentet pranë hipotekës”, shprehen drejtuesit e agjencisë.
Procesi
Nga procesi i legalizimit do të përfitojnë vetëm objekte të jashtëligjshme që janë vetëdeklaruar dhe kanë plotësuar formularët e vetdeklarimit. Deri më tani janë llogaritur rreth 350 mijë objekte, të cilët pritet të legalizohen. Në këtë shifër nuk janë të përfshirë shtesat e pallateve të rinj, bëhet fjalë pikërisht për ato pallate, të cilat ndërtuesit nuk i janë përmbajtur planit fillestar. Për pallatet e reja, tapitë do të jepen edhe në rastet kur ndërtuesi nuk e ka paguar detyrimin e tij. Sipas variantit të ri të ligjit, legalizimet do të kryhen në favor të blerësit dhe për shoqëritë e ndërtimit do të ndiqen procedurat për shlyerjen e detyrimeve që kanë ndaj shtetit. Por jo të gjitha objektet pa leje janë bërë pjesë e procesit të legalizimit. Të gjitha ndërtimet pa leje, që janë bërë pas datës 15 maj, nuk do të legalizohen. Aktualisht procesi i legalizimit të ndërtimeve informale është i shtrirë në të gjithë vendin.
Kompentencat vetëm të agjencisë
Të gjitha kompetencat për legalizimin e ndërtimeve informale i ka Agjencia e Legalizimit. Duke qenë se njësitë e qeverisjes vendore i kanë shkelur të gjitha afatet ligjore, të parashikuara për kryerjen e procedurave të legalizimit të ndërtimeve informale, qeveria vendosi që ALUIZNI do të kryejë të gjitha procedurat e evidentimit në terren dhe do të përgatisë raportin e gjendjes faktike dhe shqyrtimin për legalizim të ndërtimeve informale.
Kredi për legalizim
Kush nuk ka para për të paguar detyrimet e legalizimit, do të ndihmohet me kredi nga bankat. Sipas drejtuesve të Agjencisë së Legalizimit, është duke u parë mundësia e kreditimit për ata persona që nuk kanë mundësi financiare për të paguar vlerën e legalizimit të objektit të tyre. ALUIZNI ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me bankat dhe pritet që ky projekt të finalizohet së shpejti.