BSH: Qeveria të ruajë deficitin buxhetor
Qeveria duhet të tregojë kujdes me shpenzimet publike, pasi realizimi i tyre duhet të jetë në të njëjtën linjë me realizimin e të ardhurave në buxhet. Vetëm në këtë mënyrë mund të ruhet niveli i deficit buxhetor në nivelin e 4.2 për qind të PBB-së. Në raportin më të fundit të Bankës së Shqipërisë thuhet se “Për pjesën e mbetur të vitit 2009, vlerësohet që rënia e ritmit të rritjes ekonomike do të jetë më e dukshme. Kjo do të rrisë më tej vështirësitë në realizimin e objektivave për mbledhjen e të ardhurave publike”. Madje, sipas BSH-së, fondet rezervë që janë planifikuar në buxhet dhe që janë ende të papërdorura, duhet të shërbejnë si mbështetës të fundit të realizimit të shpenzimeve publike, dhe posaçërisht të investimeve publike. “Megjithatë, vlerësohet e rëndësishme që realizimi i shpenzimeve publike të përgjithshme, të kushtëzohet prej ecurisë së të ardhurave të realizuara, duke pasur si synim kryesor objektivin për të ruajtur nivelin e deficitit buxhetor, prej 4.2 për qind të PBB-së. Këtu duhet të mbahet në konsideratë edhe mundësia që financimi i deficitit me burime të brendshme, të jetë i kufizuar për shkak të ngushtimit të mundësive për financim nga sektori bankar”, thuhet në raport. Për vitin 2010, me përfundimin e disa veprave të rëndësishme të infrastrukturës publike, ekzistojnë mundësi më të mëdha, që me një planifikim konservator të objektivave për të ardhurat dhe veçanërisht për shpenzimet publike, të sigurohet një ulje e mëtejshme e deficitit buxhetor. Sipas Bankës së Shqipërisë, rivendosja e prirjes rënëse të deficitit buxhetor, është e rëndësishme për të ulur madhësinë dhe koston e financimit të tij, duke përmirësuar situatën e likuiditetit në tregun financiar dhe duke çliruar më shumë burime financiare që mund të përdoren drejtpërdrejt nga sipërmarrjet private të biznesit. “Ulja e deficitit buxhetor jep garanci më të mëdha për sigurimin e financimit nga investitorët dhe, në kuadër të shërbimit të borxhit të jashtëm, krijon mundësi më të mira për një rifinancim me kushte më të favorshme përgjatë kohës”, theksohet në raport.