Kjo vapë që vjen nga Afrika
Edmond Tupja
Këto ditët e fundit, shërbimet meteorologjike paralajmëruan për një valë të nxehti që do të përfshinte edhe Shqipërinë europiane. Dhe ajo valë erdhi, e pamëshirshme, sidomos për ata që nuk kanë mundësi të shkojnë e të pushojnë buzë deteve apo anës liqeneve, por veçanërisht për ata që nuk kanë as kondicioner në shtëpi; madje edhe kafshët endacake janë tulatur fare: qentë nuk lehin e macet nuk mjaullijnë më netëve. E frikshme është të mendosh se kjo valë të nxehti rrezikon të sjellë edhe insekte apo viruse të papara ndonjëherë në viset tona. Megjithatë, duke pasur parasysh kontekstin deri diku të ethshëm paszgjedhor në vendin tonë të vaposur, ajo çka do të më trembte edhe më shumë personalisht do të ishte sikur vala e të nxehtit afrikan të na sillte dhuratë virusin e trazirave politike. Po shpjegohem: Në Somali, prej vitesh luftohet midis dy palëve, trupave qeveritare që nuk duan ta lëshojnë pushtetin, dhe atyre të partive apo grupimeve islamiste që duan ta marrin atë. Në Kongo Brazavil, presidenti i deritanishëm sapo mori një mandat të dytë, çka ka ngjallur zemëratën e opozitës; në Niger, presidenti kërkon të ndryshojë Kushtetutën në mënyrë që të qëndrojë në pushtet edhe një mandat tjetër. Nga ana tjetër e oqeanit Atlantik, në Amerikën Qendrore, një puç ushtarak përzë nga pushteti presidentin e Hondurasit dhe sjell në krye të shtetit zëvendëspresidentin; presidenti i rrëzuar i bën thirrje popullit të rrëmbejë armët për ta risjellë në pushtet. Edhe në dy vende të tjera të këtij rajoni, kryepushtetarët, nën shembullin e venezuelianit Chavez, përpiqen të ndryshojnë Kushtetutat e vendeve të tyre për të qëndruar më gjatë në pushtet. Me sa kuptoj unë, virusi afrikan i trazirave politike ka mbërritur tashmë në Amerikën Latine ose, ndoshta, e kundërta, ky virus i mirushqyer në Amerikën Latine, është kthyer në Afrikë. Sigurisht, po të isha futur në Internet, do të kisha zbuluar që virusi në fjalë po bën kërdinë edhe në kontinentet e tjera (të mos harrojmë rastin e zgjedhjeve në Iran, ku pati edhe të vrarë nga trupat ushtarake e policore gjatë manifestimeve të kundërshtarëve të Ahmedinexhadit), dhe do të mund të shkruaja gjerë e gjatë për prejardhjen e tij nga Afrika apo nga një tjetër rajon i botës. Ndoshta do të kishte qenë më e udhës sikur të kisha shkuar në Afrikë, në Amerikën Latine apo në ndonjë kontinent tjetër, kudo ku pushtetarët kërkojnë ta mbajnë me dhunë pushtetin, kudo ku opozitarët nxjerrin të pakënaqurit në sheshe e rrugë për të kundërshtuar me dhunë rezultatet zgjedhore, që të bëja një anketë serioze e objektive lidhur me prejardhjen e virusit të pashmangshëm. Mirëpo, sapo ma fshiku trurin kjo ide, menjëherë e përmbajta veten se m’u kujtua deklarata e para disa ditëve e zëdhënëses së Partisë Socialiste të atdheut tim europian, sipas së cilës kjo parti, pasi humbi zgjedhjet, do ta mbronte “me çdo mjet e me çdo çmim” votën e elektoratit të vet. Dhe, nga filli në gjilpërë, m’u kujtua katrahura e vitit 1997, dhuna, vrasjet, djegiet e shkatërrimet ndërshqiptare, që sollën në pushtet pikërisht Partinë Socialiste (d.m.th. Partinë e Punës, e cila, në kongresin e saj të fundit, e kishte ndërruar emrin brenda natës) dhe aleatët e saj të majtë. Dhe aty për aty hoqa dorë nga plani im për të anketuar lidhur me virusin afrikan të trazirave politike. Sepse, kudo që të kisha shkuar, në Somali, në Kongo Brazavil apo në Niger, në Honduras, në Iran apo gjetiu, do të më kishin përplasur fytyrës, me habinë më të indinjuar, këto fjalë: “Po ç’thua more zotëri? Virusi të cilit po kërkon t’ia gjesh zanafillën në Afrikë, në Amerikën Latine apo në Azi, nuk është shfaqur për herë të parë në këto rajone, por në Europë, para nja dymbëdhjetë e kusur vitesh, buzë Adriatikut, në një vend të quajtur Shqipëri!”
Me sa duket, para gati një shekulli, Leon Trocki paska pasur të drejtë: Revolucioni u eksportoka! Si çdo virus dhune. Qoftë ky afrikan, latino-amerikan apo edhe europian (për të mos thënë shqiptar)!