E Shtunë, 31 Tetor 2026

ALUIZNI në Elbasan: Vendorët lejojnë ndërtimet pa leje

Elbasan- Ndërtime të reja pa leje si shtëpi banimi, lokale apo pika shitjeje kanë bërë që kreu i ALUIZN-it në Elbasan Ditor Musai të kërkojë ndërhyrjen e prefektit Shefqet Deliallisi në apelin e tij për njësitë vendore mbi ndërtimet e reja pa leje. Sipas Musait në disa komuna është duke u ndërtuar sërish pa leje edhe pse procesi i legalizimit është mbyllur. Sipas tij objekte të reja janë duke u ndërtuar edhe me dijeninë e vetë kryetarëve të komunave të cilët nuk janë duke i bërë nder këtyre njerëzve që ndërtojnë pasi për këto objekte nuk do të ketë një proces të dytë legalizimi. Këto objekte kanë të vetmin destinacion prishjen ndërsa ata që ndërtojnë rrezikojnë burgun. Megjithëse Musai nuk ka dashur të deklarojë emra kryekomunarësh që po lejojnë ndërtime të reja mësohet se numri i objekteve ka shkruar deri në 50. Sipas Musait vetë komunat në kuadër të decentralizimit të pushtetit vendor kanë detyrë të ngrejnë inspektorate për të kontrolluar që objekte pa leje të mos ndërtohen më në territorin e tyre. “Nuk mund të ketë një ligj nr.2 që do ti japë të drejtë këtyre ndërtuesve të rinj të cilët nuk e kanë kuptuar se veprimet për legalizim janë mbyllur në 24 nëntor të vitit 2006. Pas kësaj date është përgjegjësi e pushtetit vendor për çdo ndërtim pa leje. policia bashkiake apo komunare duhet të kontrollojnë territorin e të mos lejojnë që të ndërtohet në territorin e tyre”. Shqetësimi është ngritur pasi pranë zyrave të këtij institucioni janë paraqitur qytetarë, të cilët kanë shprehur interesin të legalizojnë objekte që nuk i kanë vetëdeklaruar më parë ose i kanë ndërtuar pas këtij afati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›