E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

AMA: Sulmi me armë drejt Top-Channel, agresion i papranueshëm

Autoriteti Mediave Audiovizive ka dënuar sulmin me armë ndaj ambienteve të Top-Channel, ku mbeti i vrarë roja e sigurisë.

Në reagim, AMA shprehet se ngjarja po përcillet me shumë shqetësim ndaj kërkon nga institucionet ligjzbatuese zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve.

“Ngjarja e mesnatës së kaluar, kur godina e televizionit Top Channel ishte objekt një sulmi me armë zjarri, me pasojë humbjen e jetës së një punonjësi të sigurisë, po përcillet me shumë shqetësim nga Autoriteti i Mediave Audiovizive. Goditja e një mjedisi mediatik është një goditje ndaj demokracisë, ndaj lirisë së fjalës dhe mendimit.

AMA shpreh ngushëllimet për familjen e punonjësit që humbi jetën nga ky agresion i papranueshëm dhe qëndron në krah të të gjithë ekipit të televizionit në këto momente të vështira.

AMA kërkon nga institucionet ligjzbatuese që të përparojnë me shpejtësi për ndriçimin sa më pare të rrethanave dhe autorët të vihen para përgjegjësisë ligjore”,thuhet në njoftimin e AMA.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 01:00 të 27 marsit 2023 në Mëzes ku ndodhen dhe godinat e Top -Channel.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›