E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Atentati ndaj Top-Channel/ Qeveria dhe opozita dënojnë sulmin, kërkojnë zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorëve

Qeveria dhe opozita kanë dënuar sulmin me armë ndaj ambienteve të Top-Channel, ku persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri dhe lanë të vdekur rojen e sigurisë.

“Agresioni kriminal ndaj Top Channel, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese”. Është ky reagimi i Kryeministrit Edi Rama ndaj atentatit që ndodhi pas pak mesnate ndaj ambienteve të Top-Channel.

Teksa shpreh ngushëllimet ndaj familjes së të ndjerit, Rama shkruan në rrjetin social Twitter se bashkësia e Top-Channel meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment shqetësues.

“Agresioni kriminal ndaj TCH me pasojë edhe një humbje jete të personelit të sigurisë, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese! Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe krejt bashkësisë së TCH, e cila meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment kaq shqetësuese”, shkruan Rama në Twitter.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar mbi sulmin me armë ndaj ambienteve të Top-Channel, duke garantuar se Policia e Shtetit është e përkushtuar për zbardhjen e ngjarjes së rëndë dhe vënien para përgjegjësisë së autorëve.

“Dënoj sulmin kriminal ndaj godinës së televizionit kombëtar Top Channel. Policia e Shtetit bashkë është maksimalisht e përkushtuar për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë dhe për të vënë para drejtësisë autorët. Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe solidaritet me #TCH”, shkruan Ministri në rrjetin social Facebook.

Ngjarja është dënuar dhe nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla e cila deklaron se sulmi me armë ndaj Top-Channel dhe vrasja e një personeli të sigurisë, është një ngjarje e rëndë që kërkon veprim të menjëhershëm e profesional nga agjencitë ligjzbatuese.

“Solidaritet për TV “Top Channel” dhe ngushëllime familjes Kola. Të zbardhet sa më shpejt kjo ngjarje kriminale!”, tha Nikolla.

Edhe kryebashkiaku Erion Veliaj është solidarizuar me Top-Channel pas sulmit që iu bë nga persona të paidentifikuar që i morën jetën rojës së sigurisë. Teksa shpreh ngushëllimet për familjen e të ndjerit, Veliaj mbështet organet ligjzbatuese për zbardhjen sa më parë të ngjarjes së rëndë.

Kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj ka reaguar ndaj sulmit duke dënuar ngjarjen e rëndë. Teksa e ka konsideruar atentatin si akt kriminal, Alibeaj u bëri thirrje organeve ligjzbatuese që të zbardhin ngjarjen dhe vënien para drejtësisë, së autorëve.

“Sulmi me armë ndaj televizionit kombëtar, Top Channel dhe vrasja e rojës së sigurisë është një ngjarje e rëndë dhe akt kriminal të cilin e dënoj me forcë.

Ngushëllimet e mia për familjen e punonjësit të sigurisë që humbi jetën në këtë ngjarje të rëndë. Sulmi i mbrëmshëm është një sulm ndaj medias, fjalës së lirë, por është dhe një sulm i rëndë ndaj sigurisë publike në vend“, shkruan Alibeaj në rrjetet sociale.

“Edhe sot krimi e mori një jetë”. Kështu e nis postimin e tij në Facebook, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili deklaron se epoka e krimit duhet të marrë fund, që të vijë epoka e shqiptarëve.

“Edhe sot krimi e mori një jetë. Një jetë të pafajshme, të një punëtori. Sot një roje televizioni, para pak ditësh një pastruese lokali. Viktimat e krimeve nuk janë të largët e të panjohur, ata janë njerëzit tanë, bashkëqytetarët tanë, shqiptarët tanë. Bashkohem me pikëllimin dhe dhimbjen e familjarëve dhe gjithë shoqërisë sonë.

Epoka e krimit duhet të marrë fund, që të vijë epoka e shqiptarëve. Dhe do të marrë fund, shumë shpejt!”, shkruan Meta.

Një akt kriminal i shëmtuar e ka konsideruar ish-kryeministri Sali Berisha sulmin me armë drejt Top-Channel, ku mbeti i vrarë 60-vjeçari, roje e sigurisë. Teksa i shpreh ngushëllime familjes së viktimës, Berisha thekson se akti kriminal, sipas tij,  është një tjetër dëshmi e dhimbshme e pasigurisë së plotë, që ekziston sot në vend.

“Sulmohet me armë zjarri Top Channel dhe ekzekutohet në kabinën e tij roja e objektit. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të shëmtuar kriminal dhe i shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së viktimës, miqve, të afërmve dhe kolektivit të Top Channel.

Denoncoj këtë akt kriminal, si dëshmi tjetër e dhimbshme e pasigurisë së plotë, që ekziston sot në vend nga vendosja e rendit nga regjimi në duart e krimit”, shkruan Berisha.

Persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri ndaj ambienteve të Top-Channel, duke lënë të vdekur rojen e sigurisë, 60-vjeçarin P.K.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›