E Diel, 1 Nëntor 2026

AMC dhe Korpusi i Vullnetarëve aksione në dobi të mjedisit

Breaking Views

Pesë qershori është Dita Ndërkombëtare e Mjedisit dhe në të gjithë botën organizohen aktivitete masive në mbrojtje të natyrës. Në këtë ditë, Forumi i Mendimit të Lirë me Korpusin e Vullnetarëve i mbështetur nga AMC, kanë organizuar aksionin masiv të radhës për pastrimin e zonave bregdetare nga papastërtitë, si dhe ndërgjegjësimin për ruajtjen e ambientit. Ky është viti i dytë radhazi që AMC mbështet Korpusin e Vullnetarëve në realizimin e aksioneve të tyre në dobi të mjedisit. Qëllimi i këtyre aksioneve nuk është vetëm pastrimi i ambientit nga mbeturinat, por edhe ndërgjegjësimi i përdoruesve të këtyre hapësirave për rëndësinë që ka ruajtja e mjedisit. Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, në aksionin për pastrimin e zonës turistike të Gjirit të Lalëzit u përfshinë mbi 150 vullnetarë nga qyteti i Tiranës, Durrësit, si edhe banorë të zonës përreth. Vullnetarët u organizuan në dy grupe duke bërë të mundur pastrimin e pjesës së bregdetit, si edhe të pyllit pranë nga mbetjet e pushuesve të pakujdesshëm. Vullnetarët gjatë këtij aksioni mundën të pastronin pjesën më të madhe të zonës turistike si edhe të komunikonin me pushues dhe biznese lokale për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit. Në përfundim të aksionit të organizuar nga Korpusi i Vullnetarëve dhe AMC plazhi dhe zona e pyllit përreth kishte rreth 100 thasë mbeturina më pak të cilat u ngarkuan në një kamion për t’u dërguar në pikën e grumbullimit.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›