Pranga arkëtares që vidhte institucionet
Pranga arkëtares së filialit të një banke private në Lushnjë, dyshohet se ka kryer gjashtë transaksione abuzive duke përfituar rreth 12 milionë e 556 mijë lekë. Arrestimi është bërë paraditen e djeshme, ndërkohë mësohet se “viktima” të lëvizjeve bankare të arkëtares kanë qenë disa institucione shtetërore, por edhe individë të ndryshëm. Policia lokale dhe prokuroria e rrethit Lushnjë ka shoqëruar mbrëmjen e së premtes 25-vjeçaren Ornela Tabaku, arkëtare pranë një banke private, ndërkohë që fletarresti është prerë paraditen e djeshme. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se po punohet për zbulimin e përfshirjes së personave të tjerë në aktivitetin kriminal të saj. Institucionet e prekura nga abuzimet e arkëtares janë: Instituti i Sigurimeve Shoqërore Lushnjë, Drejtoria Rajonale e Transportit Rrugor, tregu i fruta-perimeve Lushnjë etj. Ndërkohë që dyshohet se arkëtarja ka përfituar shumën e 12 milionë e 555 mijë e 777 lekëve.
DenoncimiKa qenë drejtoresha e filialit të njërës prej bankave private që ushtron aktivitetin në qytetin e Lushnjës ajo që i është drejtuar autoriteteve hetimore për të denoncuar dyshimet që kishte mbi vartësen e saj, Ornela Tabaku. Pas afro një jave hetimesh agjentë të seksionit të luftës kundër pastrimit të parave në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier në bashkëpunim me policinë e rendit të Lushnjës, kanë analizuar çdo rast abuzimi dhe kanë arritur në përfundimin se 25-vjeçarja Tabaku ka kryer abuzime. Operacioni i koduar “Transferta e Fundit”, ka vënë në pranga Ornela Tabakun banore e qytetit të Lushnjës. Ajo është shoqëruar gjatë orëve të vona të së premtes për në mjediset e komisariatit të qytetit, ndërkohë që fletarresti është prerë paraditen e së shtunës.
Dy akuza e ngritura për arkëtaren janë: “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Vjedhje e bankave dhe arkave të kursimit”.
AbuzimetGrupi i hetimit që u mor me rastin e arkëtares Tabaku ka mundur të dokumentojë gjashtë raste të pastra të abuzimit që ajo ka kryer. Deklarohet se nga strukturat e sektorit kundër krimit ekonomik-financiar deri tani është arritur të dokumentohet se Ornela Tabaku duke shfrytëzuar detyrën e arkëtares pranë një banke private ka vjedhur në mënyrë të përsëritur shuma të konsiderueshme lekësh dhe valute. Që nga janari i këtij viti deri ditët e fundit të muajit maj, Tabaku në mënyrë sistematike ka tërhequr të holla për llogari të saj. Burimet nga grupi i hetimit tregojnë për gazetën se shumat e madh të lekëve që ajo merrte nga llogaritë e ndërmarrjeve, i përdorte duke ua dhënë borxh të interesuarve për shuma të mëdha, kundrejt një përqindjeje të lartë. “Ajo i merrte këto shuma lekësh dhe ua jepte biznesmenëve që kishin nevojë për shuma të mëdha lekësh. Tabaku aplikonte interes të lartë për shumat që jepte në formë kredie ilegale, kredi që kishin afat deri dhe një muaj. Dyshohet se ajo nuk punonte e vetme dhe për këtë po vijon hetimi i prokurorisë dhe policisë.
Burime të Prokurorisë së Lushnjës pohojnë për “Shqip” se në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnjë po vazhdon puna, për zbulimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm në këtë aktivitet kriminal, si dhe veprime të tjera që mund të jenë kryer nga arkëtarja në dëm të institucioneve dhe individëve klientë të kësaj banke. Ornela Tabaku ka lindur dhe banon në qytetin e Lushnjës. Ajo ka mbaruar arsimin e lartë për financë dhe kishte afro dy vjet që punonte pranë filialit të bankës. Më parë ajo kishte shënuar përvoja disamujore në disa banka të tjera.
#