E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksat e larta, biznesi ankohet te Prifti

Fasonët, kreut të Ekonomisë: Kujdes TVSH, taksën e punës. Shqyrtim kamatëvonesave

Për gati dy orë e gjysmë, ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, i është dashur të mbajë shënim ankesat e biznesit prodhues të veshjeve, në takimin e zhvilluar dje në Tiranë. Shqetësimet kryesore kishin të bënin me vonesat në rimbursimin e TVSH-së, pagesën e taksave për makineritë e importit, kontributet shoqërore dhe shëndetësore etj. Diskutime pati edhe për pagën minimale, që qeveria synon ta rrisë në kundërshtim me propozimet e biznesit. Për të gjitha propozimet, ministri Prifti premtoi zgjidhje të problemeve, pas të jetë konsultuar edhe me ministrin e Financave, i cili mban përgjegjësi për sistemin e taksave në vend. Edmond Ziso, përfaqësues i biznesit eksportues dhe i fasonëve, iu drejtua ministrit me premtimin se nëse merren në konsideratë kërkesat e tyre, atëherë brenda tre viteve do të ketë dyfishim të eksporteve dhe numrit të të punësuarve.

Ministri Prifti, tha se ishte në dijeni të problematikës që shqetëson biznesin fason, duke theksuar faktin se vëmendja e qeverisë në të ardhmen do të jetë më e madhe. Tregu i fasonit në vend eksporton rreth 500 milionë euro mallra në vit.

Debati i djeshëm prekte anën procedurale dhe rishikimin e nivelit për disa taksa indirekte, si paga minimale, apo rimbursimi i TVSH-së. “Me procedurat aktuale, rrezikojmë që rimbursimi i TVSH të zgjasë edhe 15 vjet. Kjo situatë duhet të marrë fund. Duhet të kreditohen edhe taksat e tjera. Ju garantojmë që çdo e ardhur do të shkojë për zgjerimin e investimeve”, tha Zisi. Ankesa kishte edhe për deklarimin e punonjësve. “Duhet të plotësojmë një mori me dokumentacione në tre institucione të ndryshme, si për regjistrimin e një punonjësi, ashtu edhe për largimin e tij nga puna. Patjetër duhet që deklarimi i punonjësve të bëhet me sistem online, dhe askush nga ne s’ka për të humbur kohë”, tha një tjetër sipërmarrës në fushën e industrisë tekstile.

Të tjera kërkesa lidheshin me heqjen e taksës TVSH për makineritë dhe pajisjet e linjave të prodhimit për sektorin fason. “Të mos ketë më shtyrje të pagesës, por heqje të saj. Ashtu si në vende të zhvilluara, edhe te ne, qeveria të marrë përsipër të mbulojë gjysmën e investimit për makineri, si dhe të stimulojë punësimin”, tha Saimir Bidaj, sipërmarrës në fushën e fasonit. Akesa kishte edhe për përdorimin e fondeve që akordon qeveria për formimin profesional.

Në debat e sipër, ministri përmendi mundësinë e rishikimit të kamatëvonesave për taksat e papaguara, pa iu shmangur detyrimit. “Mund të bëhet edhe falja e kamatëvonesave për pagesat e vonuara të biznesit fason, propozim që do të diskutohet me Ministrinë e Financave”, tha kreu i Ekonomisë.

Duke folur për projektet që ka qeveria në mbështetje të biznesit, ministri Dritan Prifti përmendi faktin që në programin e qeverisë është parashikuar që brenda këtij katërvjeçari të krijohet fondi i teknologjisë prej 25 milionë eurosh, i cili do të jetë mbështetje për rinovim teknologjie, blerje makinerish e pajisjesh. Aktualisht, qeveria ka krijuar një fond për të ndihmuar ndërmarrje që eksportojnë, një fond prej 500 mijë eurosh, i cili jepet në formë granti. Ministri vuri theksin edhe në disa fonde të tjera që ndihmojnë ndërmarrjet për të marrë certifikimin ISO. Për marrjen e këtij certifikimi, tha Prifti, javën e kaluar është marrë vendimi për shtatë ndërmarrje fasoniste, të cilave u është paguar gjysma e kostos.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›