AMC-ja pranë shtresave në nevojë me rastin e festave të fundvitit
AMC-ja, ashtu si edhe një vit më parë, ishte pranë fëmijëve të braktisur dhe pranë të moshuarve të vetmuar gjatë festave të fundvitit, duke u krijuar atyre një mjedis sa më familjar në qendrat ku jetojnë. Turi i fundvitit, i organizuar nga AMC-ja, nisi me Shtëpinë e Foshnjës së Durrësit dhe ka përfunduar me Shtëpinë e Fëmijëve dhe me fëmijët që natën e ndërrimit të viteve do ta kalojnë në ambientet e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë. AMC-ja ka vizituar Shtëpitë e të Moshuarve në Fier, Shkodër, Kavajë, Tiranë, Sarandë dhe Gjirokastër, duke u shpërndarë dhurata me rastin e fundvitit banorëve të këtyre qendrave. Gjithashtu, AMC-ja do të ofrojë darkën e Vitit të Ri për të moshuarit e 6 qendrave në të gjithë vendin. Në të njëjtën kohë AMC-ja nuk ka harruar të vegjlit e Shtëpive të Foshnjës dhe të Fëmijëve në Durrës, Vlorë, Sarandë, Korçë, Tiranë dhe Shkodër, duke u shpërndarë dhurata fëmijëve nga zero deri në 18 vjeç, që banojnë në këto shtëpi. Gjatë këtij rrugëtimi AMC-ja ka përgatitur dhe shpërndarë dhurata për fëmijët e 5 shtëpive të foshnjës, 3 shtëpive të fëmijës dhe 8 qendrave për të moshuarit në të gjithë vendin, sipas nevojave të gjithsecilit. Mbi 400 fëmijë dhe 400 të moshuar ju gëzuan atmosferës festive të fundvitit dhe vizitës së kompanisë celulare “AMC”. Përveç dhuratave për të gjithë, AMC-ja ka ndihmuar edhe vetë institucionet që kujdesen për fëmijët dhe të moshuarit, duke kontribuar në përmirësimin e kushteve të jetesës në to. AMC-ja, pasi kontaktoi me drejtuesit e këtyre institucioneve në të gjithë vendin, evidentoi edhe nevojat e secilës qendër dhe ka realizuar nevojat e këtyre institucioneve. Për t’u qëndruar sa më pranë fëmijëve dhe të moshuarve gjatë natës së ndërrimit të viteve, AMC-ja do të angazhojë stafin e saj në të gjitha qytetet ku ndodhen këto institucione. Punonjësit e AMC-së do të festojnë së bashku me fëmijët dhe të moshuarit e vetmuar në Tiranë, Durrës, Shkodër, Kavajë, Vlorë, Fier, Sarandë, Korçë dhe Gjirokastër. AMC-ja do të kujdeset edhe për fëmijët që në këto ditë festash ndodhen në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, duke përgatitur lodra dhe dhurata të tjera për ta. Ky është viti i dytë që AMC-ja ndërmerr një nismë të tillë për të vizituar të gjitha këto qendra. AMC-ja ka përfshirë parimet e përgjegjësisë sociale në të gjitha strategjitë e saj, duke qenë gjithmonë pranë komunitetit dhe shtresave në nevojë. Edhe gjatë vitit 2009 AMC-ja do të vazhdojë të japë kontributin e saj të gjithanshëm si në projekte sociale, ashtu edhe në aktivitete të ndryshme në vend, me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe krijimin e një mjedisi shoqëror energjik.
30 Dhjetor 2008