Aksioni, bllokohen në Tiranë lodra plastike me kimikate të rrezikshme për shëndetin
Ervin Koçi
Si të mos mjaftonin aksionet e një viti më parë për të ndaluar shitjen në tregjet e vendit të lodrave të rrezikshme me substanca kimike dhe kancerogjene, të dëmshme për shëndetin e fëmijëve, edhe këtë vit është përsëritur e njëjta gjë. Lodra të ndryshme me origjinë kryesisht nga Kina, të cilat shiteshin sidomos pranë dyerve të shkollave apo në tregjet e ndryshme të vendit, janë sekuestruar dje në kryeqytet. Një aksion i pazakontë kundrejt lodrave për fëmijë është ndërmarrë dje në Tiranë nga Inspektorati Qendror Teknik (IQT). Inspektorati ka bllokuar në kryeqytet rreth 300 lodra plastike, imitime frutash, të cilat kanë rezultuar të mbushura me lëndë të ndryshme kimike, të dëmshme për shëndetin. Drejtori i Inspektoratit Qendror Teknik, Ilir Kurti, u ka bërë thirrje konsumatorëve që mos të blejnë lodra që shiten në rrugë e trotuare, pasi ato tregtohen jashtë normave dhe kontrollit. "Lodrat plastike ishin të mbushura me pluhur, ose bojë dhe tregtoheshin nga shitësit ambulantë për fëmijët afër shkollave, në rrugë e trotuare", - ka deklaruar Kurti. Drejtori i IQK-së, Ilir Kurti, shtoi se për këtë problem, është vendosur edhe një numër telefoni, ku qytetarët mund të denoncojnë rastet e tregtimit të këtyre lodrave të rrezikshme për shëndetin. Sipas tij, aktualisht po hetohet lidhur me prejardhjen e këtyre lodrave dhe subjektin që i ka sjellë në Shqipëri.
Rasti i përsëritur
Nga ana e Inspektoratit janë sekuestruar edhe vjet në këtë kohë rreth 890 copë lodra plastike që shiteshin në tregjet shqiptare, për shkak të përqindjes së lartë të plumbit dhe lëndës helmuese që ato përmbanin. Në fund të vitit të shkuar, Ministria e Ekonomisë njoftoi se një kategori lodrash të kompanisë "Fishe Price" paraqisnin rrezikshmëri për përmbajtjen e plumbit mbi nivelet e lejuara. Sipas ministrisë, kjo shoqëri ka kërkuar vetë tërheqjen e këtyre lodrave. Nga ana tjetër, në kuadër të Sistemit për Këmbimin e Shpejtë të informacioneve për produktet e rrezikshme të vendosura në tregun e brendshëm të BE-së, Ministria e Ekonomisë informoi për një kategori tjetër lodrash të rrezikshme. Bëhej fjalë për lodra të tjera që vijnë kryesisht nga Kina, të cilat paraqisnin rrezikshmëri të lartë ndaj asfiksimit ose helmimit, shokut elektrik, dëmtimeve të ndryshme fizike apo bakteriologjike të provuara nga testimet e laboratorëve të vendeve të BE-së.
Apeli për kujdes
Ministria e Ekonomisë është përgjegjëse për marrjen e të gjitha masave për të garantuar sigurinë e produkteve joushqimore në treg, si dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve. Ajo tërheq në vazhdim vëmendjen jo vetëm të konsumatorëve për mosblerjen e tyre, por edhe të shitësve të pakicës dhe shumicës për ndalimin e tregtimit të kësaj kategorie lodrash. Gjatë asaj periudhe nga ana e Ministrisë u morën masa për koordinimin me sukses të këtij aksioni me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave për pezullimin e zhdoganimeve, si dhe me IQT-në për ndalimin e tregtimit të mëtejshëm të tyre. Përveç sekuestrimeve, nga ana e inspektorëve të IQT-së do të vendosen gjoba, vlera e të cilave varion nga 200 mijë në 600 mijë lekë. Po ashtu, subjektet do të gjobiten me 200 mijë lekë në rast së ata nuk pranojnë t'u paraqesin inspektorëve dokumentacionin e nevojshëm për verifikim. Kontrollet parashikohet të kryhen për të gjitha kategoritë e këtyre produkteve, ku në mjaft raste do të rishikohet përqasja e kontrollit.
30 Dhjetor 2008