E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza ekonomike, emigrantët sjellin më pak valutë këtë fund viti në atdhe

Situata e vështirë i detyroi emigrantët të rrallojnë ardhjet. Valuta e paktë ka ndikuar në prishjen e ekuilibrave ofertë-kërkesë

Ervin Koçi

Kriza ekonomike globale ka prekur xhepat e emigrantëve shqiptarë, të cilët këtë vit kanë sjellë më pak para gjatë kthimit të tyre në atdhe për festat e fundvitit. Emigrantët shqiptarë, përveçse më të paktë në numër, kanë sjellë edhe më pak para gjatë kthimit të tyre këtë muaj në atdhe për festa. Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur në këtë periudhë euroja dobësohej për shkak të valutës që sillnin emigrantët, këtë vit kursi i këmbimit nuk ka njohur pothuajse asnjë luhatje. Në tregun e shkëmbimit valutor monedhat e huaja kanë mbajtur një pozicion të fortë karshi monedhës tonë vendase, Lekut. Në agjencitë e këmbimit, monedha e përbashkët europiane blihet me 123.2 lekë dhe shitet me 123.7 lekë, ndërsa dollari këmbehet me 87.7 lekë në blerje dhe 88.2 lekë në shitje. Gjatë viteve të mëparshme, në prag të festave të fundvitit, monedha e eurozonës dobësohej, duke kapur nivelin e 121 lekëve. Agjentët në tregun e këmbimit shpjegojnë se këtë vit fluksi i shkëmbimeve valutore që kanë bërë emigrantët ka qenë i ulët dhe nuk ka ndikuar në prishjen e ekuilibrave ofertë-kërkesë në treg.

Leku rrëzohet

Në agjencitë e këmbimit valutor, monedha e përbashkët europiane ka pasur një kurs mesatar shkëmbimi prej 123.7 lekësh, ndërsa dollari këmbehet me 88.2 lekë. Kjo është edhe hera e parë që ndodh një dobësim i tillë i monedhës vendase. Pak kohë më parë Banka e Shqipërisë evidentoi një rënie të ndjeshme të dërgesave nga emigrantët për 9 muajt e parë të këtij viti. Për periudhën janar-shtator 2008 emigrantët kanë sjellë pranë familjeve të tyre në atdhe një shumë prej 623 milionë eurosh, krahasuar me një vit më parë ka një rënie prej 13 përqindësh, ekuivalente kjo me 89.9 milionë euro.

Rrallohen ardhjet

Gjatë periudhës janar-dhjetor 2008, në Portin e Durrësit kanë zbarkuar apo janë nisur më pak udhëtarë shqiptarë se vitin e kaluar. Shkak i numrit më të ulët të pasagjerëve mendohet të jetë kriza financiare që ka përfshirë vendet e rajonit. Në 10 muaj në Portin detar të Durrësit, i cili është edhe më i madhi i vendit tonë, kanë hyrë dhe kanë dalë me anë të trageteve rreth 395 mijë udhëtarë shqiptarë, në një kohë që një vit më parë ky numër ishte 404 mijë. Numri i tyre është ulur me gati 10 mijë pasagjerë, tregojnë statistikat 10-mujore të Portit. Ulja e numrit ka ardhur pas sezonit veror pikërisht në një kohë që kriza ekonomike, e cila ka prekur rajonin është bërë më e ndjeshme. Gjatë kësaj periudhe kanë hyrë dhe dalë 152 mijë autovetura dhe 38 mijë kamionë, që sipas specialistëve të Portit, është një numër relativisht më i lartë se ai i një viti më parë. Një numër i madh kamionësh vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuar, pasi e kanë të pamundur të udhëtojnë drejt Italisë, pasi nuk kanë leje qarkullimi italiane, apo siç quhen ndryshe, “disvolta”. Ata janë në pritje të vitit të ardhshëm, pasi autoritetet shtetërore italiane nuk kanë dhënë shenja për abrogimin e këtij ligji, i cili ka vlerë për shoferët tanë, ata iranianë dhe sirianë. Të njëjtin efekt ka edhe taksa për ton rruge, e cila penalizon me 500- 600 euro për kamion, kamionët tanë në raport me ato të vendeve të tjera.

30 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›