E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet e nxehta që e kthyen Prokurorinë në një “tabelë qitjeje” të qeverisë



“Rrëshen-Kalimash”, “Gërdeci” dhe “Fazlliç”, të trija këto fjalë të thëna së bashku të sjellin ndërmend faktin se qeveritarët më të lartë shqiptarë janë nën akuzë për abuzime marramendëse me fondet publike, për trafik ndërkombëtar armësh si dhe për pastrim parash dhe trafik influence. Dosja e rrugës “Rrëshen-Kalimash” gjendet tashmë për gjykim në Gjykatën e Lartë pas një beteje të nisur nga avokatët e Bashës për ta shpallur të paligjshëm kalimin e ministrit si person të pandehur. Fati i kësaj dosjeje u “vulos” nga rezultatet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili konfirmoi pretendimet e Prokurorisë. Shkelje të konkurrencës në tender, çmime të diktuara nga firma "Bechtel" dhe evazion fiskal në dëm të buxhetit të shtetit. Kjo është përgjigjja që erdhi pak kohë më parë edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për rrugën “Rrëshen-Kalimash”. Ndërkohë, kopje të këtij raporti kanë mbërritur edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, në Prokurorinë e Tiranës dhe në zyrën e prokurores së Përgjithshme. Thuajse në të njëjtën linjë me hetimin e Prokurorisë shfaqen në raportin e KLSH-së procedurat për përzgjedhjen e firmës fituese të tenderit, “Bechtel-Enka”. Ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, ka dorëzuar imunitetin për këtë çështje. Dëmi financiar llogaritet përafërsisht në 360 milionë euro.
”Gërdeci”
Skandali më i frikshëm i klasifikuar si krim shtetëror dhe që ka vënë në bankën e të akuzuarve të opinionit publik vetë kryeministrin Sali Berisha. Bilanci: 25 të vdekur, një ministër i dorëhequr, i mbetur gjithashtu pa imunitet, dëme të pallogaritshme financiare. Në lidhje me dosjen “Gërdeci” sot ka tre të arrestuar dhe një ish-ministër në ndjekje penale. Kjo dosje duket se ka edhe më shumë komplikime në kushtet kur skandali i ka kaluar “doganat” e Shqipërisë dhe po hetohet nga vetë Kongresi Amerikan. Madje, Kongresi Amerikan ka zhvilluar edhe një seancë dëgjimore në lidhje me këtë çështje. Avancime në hetime ka bërë edhe Prokuroria Shqiptare. Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, deklaroi kohë më parë se Prokuroria ka hapur dosje hetimore edhe për trafikimin e armëve. Zhvillimet në Shtetet e Bashkuara, pas arrestimit të pronarit të kompanisë “AEY”, Efraim Diveroli, kanë vënë në lëvizje edhe organin shqiptar të akuzës. Numri një i këtij institucioni, Ina Rama, ka konfirmuar se homologëve të saj amerikanë u është kërkuar marrja në pyetje e Diverolit për llogari të hetimeve shqiptare.
“Fazlliç”
Së fundi, listës i është shtuar dhe hetimi i mikut të kryeministrit, Damir Fazlliç, i cili, nën shoqërinë e kunatit të ministrit Basha dhe ortakes së juristes Argita Malltezi, ka arritur të pastrojë rreth 1.7 milionë euro një vit më parë. Gjurmët e Damir Fazlliçit të çojnë te kompania serbe “Rudnap”. Kjo është dhe arsyeja që Prokuroria e Tiranës ka tërhequr pak ditë më parë të gjithë dokumentacionin që kjo firmë ka depozituar pranë Korporatës Elektroenergjetike, ku vetëm për vitin 2007 ka fituar 34 milionë euro tendera importimi energjie nga prokurimet e KESH-it. Firma qipriote “Altaria Research Limited” i bleu në Tiranë Damir Fazlliçit firmën “Croun Acquisitions”. Ky operacion i blerjes së firmës rezultoi i paligjshëm, ndërsa porsa Prokuroria nisi procedimin penal, Fazlliçi deklaroi se ia kishte shitur vetes. Pra, edhe firma “Altaria Research Limited” ishte në pronësi të tij, sipas vetë Fazlliçit. Por, sikurse tregon shpallja publike e Agjencisë së Regjistrimit të Kompanive, rezulton se firma qipriote ka themeluar në Zagreb degën e “Rudnap Energija d.o.o”. Pikërisht kjo nyje e zbuluar nga “Albania” është bërë pjesë e hetimeve të Prokurorisë.

Dosja “Basha”, prokuroria e bën fajtor edhe për zgjatjen e hetimeve

Prokuroria e Përgjithshme, krahas kërkesës për gjykim që ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë, ka dorëzuar edhe një relacion informativ lidhur me arsyet e zgjatjes së afatit të hetimeve. Janë gjithsej nëntë faqe material ku shpjegohen hollësisht të gjitha procedurat hetimore të ndjekura prej prokurorëve. Arsyet kryesore të paraqitura prej organit të akuzës lidhen kryesisht me mungesën e projektit përfundimtar dhe me mosparaqitjen për të dhënë shpjegime të disa prej ish-zyrtarëve të Ministrisë së Transporteve. Megjithatë, mungesa e projektit përfundimtar ka qenë arsyeja kryesore ndërsa sipas këtij relacioni të prokurorisë “termat e kontratës së lidhur me kontraktorin Bechtel-Enka përcaktonin se projekti do të ishte përfunduar detyrimisht deri në mars të vitit 2007. Mospërfundimi i projektit jo vetëm që përbënte një shkelje ligjore, por në të njëjtën kohë përbënte edhe një pengesë për evidentimin e saktë shkencor të dëmit”, - shkruhet në këtë relacion. Mungesa e projektit bëri që prokuroria të operonte me nocionin e “dëmit të sigurt”. Janë 232 milionë euro dëme të shkaktuara nga “vepra e shekullit” që u iniciua dhe u “orkestrua” nga Andi Toma dhe Lulzim Basha. Pikërisht këtë dëm u ka paraqitur prokurori Arben Kraja anëtarëve të Gjykatës së Lartë në finale të analizës dhe hetimit të dosjes “Rrëshen-Kalimash”. “Duke shumëzuar diferencën e kostos për m2 rrugë dhe m2 ura me sipërfaqen e përgjithshme të rrugës dhe urave, sipas projektit të miratuar për segmentin rrugor Rrëshen-Kalimash, ekspertët kanë llogaritur një diferencë për rrugën 177 075 500 euro dhe për urat 54 934 083 euro. Në total kemi një diferencë 232 009 583 euro, që kosto e rrugës dhe urave në segmentin Rrëshen-Kalimash kanë kushtuar më shumë se kostoja e rrugës Kalimash-Morinë”, - konkludon prokurori lidhur me dëmin. Më tej, prokurori shton se nga krahasimet që janë kryer rezulton se çmimet për njësi të zërave të aplikuara në kontratën e lidhur me shoqërinë “Bechtel-Enka” janë shumë më të larta. “Nga shumëzimi i diferencës së çmimeve për njësi me volumet e punës të parashikuara sipas projektit përfundimtar për rrugën Rrëshen-Kalimash rezulton se shoqëria “Bechtel-Enka” është favorizuar me një shumë prej 114 851 604 euro krahasuar me shoqëritë që po ndërtojnë segmentet e rrugës në vazhdim, pra nga Kalimashi deri në Morinë”, - saktëson Kraja në kërkesën e tij.

“Gërdeci”, në fillim të 2009-s pritet të shpallen të tjerë të pandehur

Një pjesë e krerëve dhe drejtuesve të lartë të Shtabit të Përgjithshëm, që janë nën hetim nga prokuroria (për dosjen “Gërdeci”), në javët e para të vitit 2009 do ta gjejnë veten nën akuzë për përgjegjësinë e tyre ndaj skandalit që tronditi Shqipërinë më 15 mars. “Në hetim janë një pjesë e mirë e ish-drejtuesve të Shtabit dhe jo vetëm. Shkalla e implikimit të tyre ndryshon. Nga konkluzionet e deritanishme janë vërejtur elemente të veprës penale të shpërdorimit të detyrës për disa drejtues të Shtabit. Për këto vepra do të ketë komunikim akuze porsa të ezaurohen të gjitha procedurat që lypen për të kaluar në komunikimin e akuzës”, - i ka thënë pak ditë më parë “Albania”-s një burim nga prokuroria. Por i njëjti burim ka saktësuar se konkluzionet e deritanishme janë bazuar në të dhëna dhe dokumente procedurale të rëndësishme që vërtetojnë veprimin dhe mosveprimin e tyre në kundërshtim me ligjet e vendit lidhur me dosjen ‘Gërdeci’ ”. Burimet nga organi i akuzës nuk pranuan të saktësojnë emra konkretë që rrezikojnë komunikimin e akuzave në javët e para të vitit 2009. Por përveç ushtarakëve, që janë aktualisht nën hetim dhe që rrezikojnë komunikimin e akuzave, ka edhe civilë që janë po ashtu nën hetim dhe që deri tani janë gjetur fajtorë për veprimet ose mosveprimet e ndërmarra prej tyre. Të tillë janë zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe disa personazhe që kanë patur lidhje me firmën kontraktore “Albademil” apo persona që kanë qenë protagonistë në aktivitetin që është ushtruar në Gërdec. Aktualisht, prokuroria është fokusuar në hetimin intensiv të linjës së trafikimit të armëve. Gazeta “Albania” ka publikuar dhe më parë ekskluzivisht informacion lidhur me aktivitetin tregtar të biznesmenit të dyshuar për trafikun e municioneve në Gërdec dhe Rinas. Por të dhënat flasin për një labirint të vërtetë firmash me bazë në Qipro dhe Afrikë, ndërsa zoti Delijorgji rezulton thjesht një administrator i këtyre firmave.

30 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›