Dosjet e bujshme që u gjykuan nga Gjykata gjatë 2008-s
Laureta Rryçi
Ky vit që po lëmë pas do të mbahet mend për togat e zeza për të paktën për dy arsye. Arsyeja e parë ka të bëjë me faktin që pas shumë vitesh Gjykata e Tiranës dha vendimin për një ish-zëvendësministër. Arsyeja e dytë, për herë të parë në Gjykatën e Lartë u dorëzua dosja për gjykim me të pandehur një ministër. Natyrisht nuk kanë munguar edhe vendime të tjera, duke e cilësuar kështu një vit jo pak të bujshëm për rëndësinë e dosjeve që janë gjykuar. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm disa prej dosjeve për të cilat të paktën gjykatat e shkallës së parë e kanë dhënë verdiktin e tyre.
Krimet e Rënda
Dhjetëra persona janë dënuar gjatë këtij viti nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe ajo e Apelit për një sërë veprash penale që kanë të bëjnë me trafiqe ilegale si ai i drogës dhe femrave për qëllime prostitucioni, vrasje apo pjesëmarrje në grupe kriminale. Ndërkohë që shumë të tjerë janë në proces dhe gjykata ende nuk e ka dhënë vendimin përfundimtar për episodet kriminale që akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, të cilat kanë ndodhur vite më parë në vendin tonë. Ndër çështjet e përfunduara nga Gjykata e Krimeve të Rënda janë ato për rrëmbimin e imamit të Gostivarit, Irfan Idrizi, vrasjen e mjekut Behar Kastrati në Krumë, bandën e Niklës etj. Në një kohë që janë marrë në shqyrtim çështjet për bandën e Durrësit, të Lushnjës, Cërrikut apo çështjen "Hoxha". Më 10 janar Gjykata e Krimeve të Rënda dha vendimin për të pandehurin Jani Tafa nga Fieri, duke e shpallur fajtor dhe dënuar me 16 vjet burg dhe 6 milionë lekë gjobë, për veprën penale të "trafikut të femrave për qëllime prostitucioni". Një ditë më pas, e njëjta gjykatë dënoi me burgim të përjetshëm të pandehurin Dedë Strogu, i cili akuzohet për vrasjen me armë zjarri të dy bashkëfshatarëve të tij më 6 korrik të vitit 1997, ditën e zgjedhjeve parlamentare, në fshatin Kuje të komunës Pult, në rrethin e Shkodrës. Më 17 janar Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli vendimin për dy vëllezërit, Dritan dhe Elvis Buçpapaj, të cilët akuzohen për "trafik të femrave për qëllime prostitucioni" dhe "falsifikim të dokumenteve zyrtare", duke i dënuar me nga 15 vjet burg secilin, si dhe me gjobë 1 milion lekë. Më 18 janar, numri 2 i bandës së Lushnjës, Enver Dondollaku, u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me burgim të përjetshëm për një sërë veprash të rënda penale, mes tyre "drejtim të organizatës kriminale" dhe "vrasje". Por, për shkak të aplikimit nga gjykata të procedurës me gjykim të shkurtuar, i pandehuri Enver Dondollaku, sipas Kodit Penal, do të vuajë 25 vjet burg.
Gjykata e Tiranës
Dosjet e bujshme penale që u gjykuan në Gjykatën e Tiranës
Persona të shumtë, të njohur ose jo, u shpallën fajtorë dhe u dënuan gjatë vitit 2008 nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë për episode, kryesisht krime kundër pronës dhe pasurisë, mashtrime, krime brenda familjes, abuzime me të miturit, vrasje, shkaktimit të vetëvrasjes etj. Ndërkohë, të tjerë janë në proces e sipër, ku trupa gjyqësore do të thotë fjalën e fundit vitin e ardhshëm. Gjatë vitit 2008 nuk munguan dhe çështjet e trajtuara ndaj ish-funksionarëve shtetërorë të akuzuar nga Prokuroria e Tiranës për krime në fushën e "korrupsionit", ku disa prej tyre janë cilësuar fajtorë nga gjykata. Ndër këto çështje përmendet ajo ndaj ish-funksionarëve të Ministrisë së Punëve Publike, të arrestuar në operacionin e koduar me "Duar të pastra", si dhe ndaj atyre të Policisë Tatimore, të ndaluar në operacionin "Gjoba e fundit". Më 15 janar Gjykata e Tiranës vendosi dënimin me një vit burg për shtetasin Adriatik Haklaj, i cili akuzohet për "shkaktim vetëvrasje të mbetur në tentativë të bashkëshortes së tij". I pandehuri Haklaj u gjykua nën masën e sigurisë "arrest me burg". Më 28 janar Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e dënoi me 7 vjet burg të pandehurën Aurora Breçani, për veprën penale të vrasjes së kryer në kushtet e tronditjes së rëndë psikike. Aurora Breçani, 21 vjeçe, nga Tropoja, akuzohet për vrasjen e shtetasit Agron Rrahmani, 35 vjeç, më 14 dhjetor 2005 në fshatin Breçan, Tropojë. Në fund të muajit shkurt kjo gjykatë vendosi dënimin me 11 vjet burg për 46-vjeçaren Aishe Pojana, akuzuar për "vrasje me dashje" të bashkëshortit të saj Hasan Pojana, në mars të 2007-s, në fshatin Baldushk të Tiranës, nga 12 vite burg të kërkuara në konkluzionet e organit të akuzës.
Harta e hetimeve gjatë vitit 2008
Në lidhje me shtrirjen gjeografike të procedimeve penale, të dhënat tregojnë se në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë janë regjistruar 2178 procedime penale me 957 të pandehur ose 25% të
numrit total të procedimeve dhe 19.3% të numrit të pandehurve në shkallë vendi. Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë dhe Elbasan kanë regjistruar 4656 procedime penale me 2021 të pandehur ose 53.7% e numrit total të procedimeve dhe 41% e numrit total të të pandehurve. Procedimet penale të regjistruara në prokuroritë e rretheve veriore, verilindore dhe veriperëndimore të vendit zënë 19.4 për qind të numrit total të procedimeve dhe 19.7 për qind të numrit total të të pandehurve. Ndërsa procedimet penale të regjistruara në prokuroritë e rretheve gjyqësore në jug, juglindje dhe jugperëndim të vendit, zënë rreth 55.6 për qind të procedimeve dhe 61 për qind të të pandehurve.
Dosjet e bujshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda
Më 10 janar Gjykata e Krimeve të Rënda dha vendimin për të pandehurin Jani Tafa nga Fieri, duke e shpallur fajtor dhe dënuar me 16 vjet burg dhe 6 milionë lekë gjobë, për veprën penale të "trafikut të femrave për qëllime prostitucioni".
Më 11 janar, gjykata dënoi me burgim të përjetshëm të pandehurin Dedë Strogu, i cili akuzohet për vrasjen me armë zjarri të dy bashkëfshatarëve të tij më 6 korrik të vitit 1997, ditën e zgjedhjeve parlamentare, në fshatin Kuje të komunës Pult, në rrethin e Shkodrës.
Më 17 janar Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli vendimin për dy vëllezërit, Dritan dhe Elvis Buçpapaj, të cilët akuzohen për "trafik të femrave për qëllime prostitucioni" dhe "falsifikim të dokumenteve zyrtare", duke i dënuar me nga 15 vjet burg secilin, si dhe me gjobë 1 milion lekë.
Më 18 janar, numri 2 i bandës së Lushnjës, Enver Dondollaku, u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me burgim të përjetshëm për një sërë veprash të rënda penale, mes tyre "drejtim të organizatës kriminale" dhe "vrasje". Por, për shkak të aplikimit nga gjykata të procedurës me gjykim të shkurtuar, i pandehuri Enver Dondollaku, sipas Kodit Penal, do të vuajë 25 vjet burg.
Më 13 shkurt Gjykata e Krimeve të Rënda filloi shqyrtimin gjyqësor të dosjes penale në ngarkim të të pandehurve të bandës së Lushnjës, e dyta për këtë bandë. Të pandehur në këtë proces janë shtetasit Arben Boriçi, Afrim Hoxha, Ilir Stërgu, Rexhep Gina, Erion Cici, Jorgo Muzaka (Agur Musaku) dhe Arjan Aliçi, të cilët akuzohen për disa ngjarje kriminale të ndodhura disa vite më parë në qytetin e Lushnjës, mes tyre edhe për vrasje.
Ndërsa më 17 prill, Gjykata e Krimeve të Rënda deklaroi të hapur procesin ndaj bandës së Durrësit, ku me cilësinë e të pandehurit janë marrë nga prokuroria 16 persona të akuzuar për disa vepra penale, mes tyre disa vrasje.
Dosjet që u gjykuan në Gjykatën e Tiranës
Më 15 janar Gjykata e Tiranës vendosi dënimin me një vit burg për shtetasin Adriatik Haklaj, i cili akuzohet për "shkaktim vetëvrasje të mbetur në tentativë të bashkëshortes së tij". I pandehuri Haklaj u gjykua nën masën e sigurisë "arrest me burg".
Më 28 janar Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e dënoi me 7 vjet burg të pandehurën Aurora Breçani, për veprën penale të vrasjes së kryer në kushtet e tronditjes së rëndë psikike. Aurora Breçani, 21 vjeçe, nga Tropoja, akuzohet për vrasjen e shtetasit Agron Rrahmani, 35 vjeç, më 14 dhjetor 2005 në fshatin Breçan, Tropojë.
Më 25 shkurt kjo gjykatë vendosi dënimin me 11 vjet burg për 46-vjeçaren Aishe Pojana, akuzuar për "vrasje me dashje" të bashkëshortit të saj Hasan Pojana, në mars të 2007-s, në fshatin Baldushk të Tiranës, nga 12 vite burg të kërkuara në konkluzionet e organit të akuzës.
Më 5 prill, Gjykata e Tiranës dënoi me 25 vjet burg në mungesë Zylfie Haklajn për veprat penale të "vrasjes" dhe "armëmbajtjes pa leje". E shpallur në kërkim ndërkombëtar, Zylfie Haklaj u deklarua fajtore për ngjarjen e 2 prillit 2002, pasi ekzekutoi me armë zjarri Rasim Lumneshin dhe Ilir Gosturanin, ku mbetën të plagosur edhe Izet Dusha e Hysen Biberaj.
Më 19 maj Gjykata e Tiranës i dha fund shqyrtimit gjyqësor të çështjes ndaj pesë ish-zyrtarëve të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, mes të cilëve dhe ish-zv/ministrit Nikolin Jaka, të arrestuar gjatë operacionit “Duart e pastra”, për akuzën korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Ndër të tjera, Gjykata e dënoi me një 1 vit e 20 ditë burg dhe me 800 mijë lekë gjobë ish-zv/ministrin Jaka.
30 Dhjetor 2008