E Diel, 1 Nëntor 2026

Remontet në Tiranë, materniteti “Mbretëresha Geraldinë” 24 orë pa drita

 Dita e djeshme dhe nata e sotme e ka gjetur maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” pa drita dhe me qirinj. Për shkak të remonteve që po bëhen në linjën e maternitetit dritat janë ndërprerë në orën 10:00 të mëngjesit. Ndërkohë që sipas lajmërimit që është bërë ky remont do t’i japë fund ndërprerjes së dritave vetëm sot në mëngjes. Pacientët e këtij materniteti të cilët kanë kaluar natën nën dritën e qirinjve tregojnë se janë lajmëruar për këtë ndërprerje të dritave por që gjithsesi ishte një defekt që duhej ndërhyrë. “Na thanë që po bëhet një riparim në linjë, për të mos pasur më probleme dhe jemi pa drita që në orën 10:00 të mëngjesit. Presim që dritat të vijnë nesër në mëngjes dhe kjo “ shprehet një nga pacientet. Sipas saj shqetësim për ndërprerjen e dritave kanë shprehur edhe infermieret por që nga ana e maternitetit janë mare masat e duhura për të përballuar këtë situatë. “Nuk është se kemi pasur ndonjë shqetësim, tani në darkë do të rrimë me qiri dhe stafi i maternitetit ka qenë në gatishmëri kështu që gjërat janë mirë” vazhdon ajo. Lidhur me urgjencat nga stafi i maternitetit konfirmohet se nuk ka pasur të tilla por edhe nëse rezulton ndonjë rast ai do të dërgohet tek materniteti i ri “Koço Gliozheni”. E në kohën kur dje është shënuar një ndër ditët më të ftohta pavarësisht mungesës së dritave në ambientet e maternitetit, pacientëve ju është siguruar ngrohje falë kaldajës dhe një shërbim më intensiv për të mos krijuar probleme. Lidhur me ndriçimin situata është zgjidhur me anë të qirinjve. Sipas infermiereve ndërprerja e dritave ka ardhur si nevojë e riparimit të një defekti në linjën e këtij materniteti por që pritet që sot në mëngjes ky riparim të mbarojë. Ndërkohë që ikjen e dritave nuk e ka përjetuar vetëm materniteti por edhe zona rrotull tij, ndërprerje të cilat kanë qenë të shkurtra por që janë përsëritur disa herë. Nuk mund të thuhet që ndërhyrja tek linja e maternitetit ka dhënë edhe këto shkëputje por që gjithsesi situata për këtë institucion pritet që të zgjidhet mëngjesin e sotëm gjithmonë nëse riparimi në linjë përfundon në afatin që është dhënë.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›