E Diel, 1 Nëntor 2026

AMF: Bien të ardhurat nga sigurimi i automjeteve me 9,54%, dështon liberalizmi

SHKRUAN: Sabina Veizaj 28-11-2011 11:58

Çmimet e ulura të sigurimit të detyrueshëm të automjeteve, si pasojë e liberalizimit të ligjit, kanë ndikuar në rënien e të ardhurave nga ky sektor në arkë. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për 10-mujorin raporton 3 252 lekë ose 9,54% më pak se të njëjtën periudhë të një viti më parë

Dhjetëmujori i parë i vitit ka rezultuar jo shumë fitimprurës për sigurimet e detyrueshme motorike, krahasuar me një vit më parë. Të dhënat e 10-mujorit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se të ardhurat nga sigurimi i detyrueshëm motorik arritën shifrën 3 252 milionë lekë, ose rreth 9.54% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa produkti MTPL e brendshme, gjatë periudhës janar-tetor të vitit 2011, pati një ulje prej 24.46% për siguracionet e shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 2.06% krahasuar me periudhën janar-tetor të vitit 2010. Kurse produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-tetor 2011 pati një rritje prej 0.84% për sigurimet e shkruara bruto dhe një ulje të numrit të kontratave prej 3.24% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Po sipas të dhënave zyrtare të AMF-së, për 10-mujorin e 2011-ës, produkti Karton Jeshil në periudhën janar-tetor 2011 pati një rritje prej 37.01% për primet e shkruara bruto, shoqëruar dhe me rritjen e numrit të kontratave prej 38.21%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Liberalizimi i tarifave të sigurimit të detyrueshëm motorik po sjell gjithmonë e më shumë çmime më të ulëta dhe një volum më të pakët të ardhurash për kompanitë e sigurimeve. Sipas agjentëve që operojnë me siguracionin e mjeteve motorike, ligji për liberalizimin e këtij tregu ka dështuar. Sipas agjentëve të kompanive të sigurimit, ligji që ka hyrë në fuqi është një mekanizëm që po ndihmon korrupsionin e mëtejshëm në këtë sektor. Ata thonë se me gjithë ligjin për liberalizmin e tregut, çmimet e siguracioneve TPL të detyrueshme të automjeteve janë ulur 30-40%, agjentët operojnë me çmime akoma më të ulura, për të thithur sa më shumë klientelë, duke ndikuar negativisht edhe te qytetarët. Pasi ata punojnë me dokumentacion paralel, duke plotësuar siguracionin për një automjet me motor me më pak cm kubikë, që kushton më lirë, në vend që të raportojnë në sistem një siguracion TPL për një automjet me cm kubikë real. Gjë që në rast aksidentesh sjell probleme duke i hequr mundësinë automjetit të dëmtuar të përfitojë nga sigurimi. Ata shprehen se ligji ka nxitur më tej korrupsionin në këtë sektor. Sipas tyre, me gjithë çmimet e ulura, klientët kërkojnë ulje të mëtejshme çmimesh që, sipas agjentëve, tregon për një mungesë kulture të këtij tregu në vendin tonë. Këtë e tregojnë edhe shifrat e të ardhurave nga 10-mujori, ku rezulton rënie e tyre nga sigurimi i detyrueshëm i automjeteve. Duke iu referuar po të dhënave të AMF-së, të ardhurat nga primet e sigurimit, në periudhën janar-tetor 2011, arritën rreth 7 103 milionë lekë, ose 4.52% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjatë periudhës janar-tetor 2011, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1 091 921, pothuajse duke dyfishuar numrin e kontratave, e krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›