E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hebovia: Institucionet të bashkëpunojnë për fillimin e hipotekimit të apartamenteve

Edhe pse memorandumi u nënshkrua mes bashkisë, Ministrisë së Transporteve dhe asaj të Drejtësisë, për hipotekimin e apartamenteve të reja, edhe pse ligji u miratua dhe udhëzimet u publikuan në Fletoren zyrtare, ende nuk ka nisur hapi i parë për të vënë në jetë ligjin për hipotekimin. Në një deklaratë të dhënë për shtyp, zëvendëspresidenti i Shoqatës së Ndërtuesve, Ilir Hebovia, ka thënë se pavarësisht sensibilizimit të institucioneve për përfshirjen në procesin e hipotekimit, akoma nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret. Për këtë qëllim, ndërtuesit kërkojnë më shumë përfshirje në procesin e hipotekimit të banesave në Tiranë. Meqenëse pas hyrjes së ligjit në fuqi nuk ka asnjë banesë të hipotekuar, Hebovia propozon më shumë bashkëpunim mes institucioneve shtetërore dhe Shoqatës së Ndërtuesve. Sipas udhëzimit, do të regjistrohen në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme objektet për të cilat nuk është lëshuar leje shfrytëzimi, dhe pse është paraqitur kërkesë nga subjekti i interesuar pranë zyrës apo seksionit të urbanistikës së organit të qeverisjes vendore. Gjithashtu do të përfitojnë nga regjistrimi të gjitha objektet për të cilat nuk është lëshuar leje shfrytëzimi dhe nuk është paraqitur kërkesë për leje shfrytëzimi nga subjekti i interesuar pranë zyrës së urbanistikës së organit të qeverisjes vendore dhe objektet për të cilat është lëshuar leje shfrytëzimi, por kjo e fundit nuk rezulton të jetë përcjellë për regjistrim pranë ZRPP-së. Do të përfitojnë nga hipotekimi edhe objektet për të cilat është lëshuar leje shfrytëzimi dhe kjo e fundit është përcjellë për regjistrim pranë ZRPP-së. Por, në rastet kur Drejtoria e Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës konstaton se, për objektet për të cilat janë lëshuar leje ndërtimi, janë paraqitur kërkesa për lëshimin e lejeve të shfrytëzimit dhe këto të fundit nuk rezultojnë të jenë lëshuar, do të vijohen procedurat e lëshimit të lejes së shfrytëzimit brenda 30 ditëve dhe duhet të njoftohet Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për detyrimet e papaguara të objektit. Në një rast tjetër kur ALUIZNI konstaton se objekti është vetëdeklaruar brenda afateve ligjore dhe disponon aktin e vetëdeklarimit, procedon me regjistrimin. Ndërsa, në të gjitha rastet kur objektet nuk janë vetëdeklaruar në afat, ALUIZNI mban detyrimin t’i kthejë pa veprim dosjet përkatëse brenda 5 ditëve Drejtorisë së Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›