Kancelarja Merkel kundër eurobondeve
Megjithëse kancelarja gjermane Angela Merkel vazhdon të refuzojë në mënyrë strikte obligacionet e përbashkëta të vendeve të Eurozonës, ato shihen gjithnjë e më shumë si arma e fundit për shpëtimin e euros. Nga të gjitha variantet do të përfitonin vendet me borxhe të larta, të cilat me siguri do të paguanin interesa më të ulëta për rifinancimin. Ndërsa për vende si Gjermania, pesha e interesave do të rritej. Eksperti për financat, Max Otte, argumenton se "Bëhet fjalë për konflikt sistemi mes vendeve në veri dhe atyre në jug të Europës, mes atyre që kursejnë dhe atyre që hyjnë në borxhe. Dhe nëse do të fusnim tani në qarkullim eurobonde nën këtë trysni, kam frikë se vendeve në borxhe do t'u bëhet shumë e lehtë." Pikërisht për këtë arsye kancelarja Merkel nuk heq dorë nga qëndrimi i saj refuzues ndaj eurobondeve. Ajo u shpreh e zemëruar në Parlamentin Federal Gjerman (Bundestag) ndaj planeve të Komisionit të BE-së: "Efekti komunikativ do të jetë që, përmes ndarjes së peshës së borxheve në më shumë supe, mund të shpëtojmë nga mangësitë strukturore të unionit monetar europian. Por pikërisht kjo nuk do të jetë e mundur." Së bashku me aleatin e saj më të rëndësishëm, presidentin francez Nicolas Sarkozy, Merkel do të bëjë propozime për ndryshime të marrëveshjeve të BE-së, përpara samitit të BE-së më 9 dhjetor. Në thelb, fjala është për të drejta ndërhyrjeje në planifikimet e buxheteve kombëtare. Kjo do të thotë që çdo vend i Eurozonës duhet t'ia paraqesë projektbuxhetet fillimisht Komisionit të BE-së, Parlamentit Europian apo një instance të re, të krijuar enkas, përpara se të miratohen nga parlamentet kombëtare. Kjo duhet t'i japë fund krijimit të borxheve pa kufi dhe të pengojë kriza të këtyre përmasave në të ardhmen.
Kështu ndërmerren hapat e parë drejt një unioni fiskal. Nëse administruesja e krizës Merkel e arrin këtë, Udo Steffen nga School of Finance në Frankfurt, mendon se kancelarja nuk do t'i refuzojë më gjatë eurobondet. Emetimi i eurobondeve është vetëm çështje kohe, mendon prof. Udo Steffens; "Nuk është fjala vetëm për një 'po' ose 'jo' për eurobondet. Bëhet fjalë për gjetjen e momentit të përshtatshëm. Gjermania, dhe veçanërisht kancelarja, druhen se, nëse lëshojnë nga duart këtë gur të fundit, do të bjerë trysnia ndaj vendeve europiano-jugore për të ndërmarrë reformat e nevojshme."