Imobiliaret: Nuk ka ende lëvizje në tregun e ndërtimit
Tregu imobiliar vazhdon të jetë ende në stanjacion në kryeqytet. Agjentët vazhdojnë të ankohen për një treg tejet të vakët të shitblerjeve. Nga një vëzhgim i gazetës MAPO në agjencitë imobiliare në kryeqytet, agjentët pohuan se nuk ka lëvizje në këtë treg. Gjendja, sipas tyre, është po ajo e fillimit të krizës më 2008. Shitjet konsistojnë në shitjet e luksit, si vila dhe dublex dhe shitjet emergjente nga familjet, të cilat nuk kërkojnë më shumë se 60 metër katror. Por edhe këto shitje janë shumë të pakta, sipas tyre. Çmimet, raportojnë agjencitë imobiliare, janë të njëjta, por kërkesa ka rënë shumë. Edhe emigrantët, thonë ata, të cilët janë kthyer si për pushime, edhe ata që janë vendosur këtu përfundimisht, nuk kanë ndikuar në këtë treg. Sipas agjentëve imobiliarë, kriza ka tkurrur tej mase kërkesën konsumatore.