AMF: Projektligjet për depozitat dhe pensionet private, pjesë e reformave për integrimin në BE

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) konsultoi me anëtarët e Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian (PPIE) dy projektligje që synojnë përafrimin e kuadrit ligjor shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian dhe përmbushjen e piketave mbyllëse të Kapitullit 9 “Shërbimet Financiare”.
Në takimin e zhvilluar të martën u prezantuan projektligji “Për sigurimin e depozitave” dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 76/2023, ‘Për fondet e pensionit privat’”.
Në takim morën pjesë drejtoresha e përgjithshme Ekzekutive e AMF-së dhe negociatore e Kapitullit 9, Adela Xhemali, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD), Mina Kusta, ekspertë dhe anëtarë të platformës.
Xhemali theksoi rëndësinë e avancimit të reformave ligjore e rregullatore, si dhe të forcimit të kapaciteteve institucionale për zbatimin efektiv të tyre. Ajo paraqiti statusin dhe progresin e akteve që po hartohen në kuadër të përmbushjes së piketave mbyllëse për Kapitullin 9.
Sipas saj, përfshirja aktive e institucioneve, përfaqësuesve të tregut, shoqërisë civile dhe ekspertëve është thelbësore për procesin e integrimit evropian, ndërsa Platforma e Partneritetit shërben si një hapësirë për dialog dhe rritjen e transparencës.
Kusta vlerësoi rëndësinë e projektligjit “Për sigurimin e depozitave” për forcimin e mbrojtjes së depozituesve dhe modernizimin e skemës në përputhje me standardet evropiane. Ai evidentoi gjithashtu rëndësinë e ndryshimeve të propozuara për përmirësimin e mekanizmave të kompensimit, forcimin e rolit të Agjencisë dhe ruajtjen e besimit të publikut në sistemin bankar.
Gjatë takimit u prezantuan objektivat dhe risitë kryesore të të dyja nismave, ndërsa anëtarët e platformës shprehën vlerësimet dhe sugjerimet e tyre lidhur me konsultimin publik dhe çështjet e ngritura nga palët e interesit.
Projektligjet janë pjesë e procesit të përafrimit të legjislacionit financiar shqiptar me standardet e BE-së, në funksion të avancimit të reformave të Kapitullit 9 “Shërbimet Financiare”.
/e.xh/a.f/r.e/