AMF: Tregu i sigurimeve rritet me 8,22%
Statistikat më të fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se për katërmujorin e parë të vitit, tregu i sigurimeve u rrit në vend me 8.22%. Sipas të njëjtave statistika, në muajin prill sigurimet e rritën lehtë ritmin e rritjes. Peshën e rritjes e mban tregu i sigurimit të jetës, i cili u rrit me mbi 48% me bazë vjetore, ndërkohë segmenti i jo-jetës u rrit me vetëm 4%. Sigurimi i jetës zë tashmë 12% të totalit të tregut, nga rreth 8.7% që zinte një vit më parë. Fenomeni më tipik për tregun e sigurimeve është rritja shumë e lartë e numrit të kontratave, që për katër muajt e parë të vitit arritën në 408 mijë, me një rritje mbi dy herë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010. Shpërpjesëtimi i thellë me rritjen prej vetëm 8% të volumit të primeve tregon se rritja ka ardhur në kontratat me vlerë të vogël, kryesisht në ato të sigurimit të shëndetit në udhëtim, kategori e lidhur ngushtë me udhëtimet jashtë vendit dhe me liberalizimin e vizave. Ndërsa sigurimet e detyrueshme motorike arritën shifrën 1,273 milionë lekë, ose rreth 0.35% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-prill 2011 pati një ulje prej 6.83% për primet e shkruara bruto dhe numri i kontratave pati një ulje prej 11.71% krahasuar me periudhën janar - prillin e vitit të kaluar. Ndërsa, produkti Karton Jeshil pati një rritje me rreth 77.45% për primet e shkruara bruto, krahasuar me janar-prillin e vitit 2010 dhe numri i kontratave pati një rritje prej 48.14%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.