E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët: Përmbarimi të ekzekutojë kolateralet

SHKRUAN: Sabina Veizaj 28-05-2011 09:44

Ekspertët e ekonomisë gjykojnë se ngërçi i ekzekutimit të kolateralit, në rastin e kredidhënies, duhet të zgjidhet nga përmbarimi. Sipas tyre, tanimë që ky shërbim është privatizuar, çështjet në fjalë nuk duhet të jenë pre e burokracive të dikurshme shtetërore. Eksperti i ekonomisë, deputeti demokrat, Selami Xhepa gjykon se ekzekutimi i kolateralit është çështje e gjyqësorit të nisë procese, të cilat përmbyllen në veprime të Zyrës së Përmbarimit për sekuestrimin e pronave të lëna peng nga individët, të cilët më pas nuk kthejnë paratë e kredisë së marrë. Sipas zotit Xhepa, krijimi i Gjykatës Administrative do të ndihmonte gjithashtu, për të nxitur ekzekutimin e kolateralit. Edhe eksperti, deputet i maxhorancës, Sherefedin Shehu gjykon se ekzekutimi i kolateralit kërkon reformë urgjente, edhe pse ligji ekziston. Sipas tij, kjo çështje mund të zgjidhet me kontrata të derivuara, ku të hyjnë në lojë të tretët. Pasi sipas tij, ekzekutimi i kolateralit do të ndihmonte në zgjidhjen e ngërçit të kredive të këqija, duke rritur më tej sektorin e kreditimit, duke liruar kushtet dhe ulur interesat. Sipas Bankës së Shqipërisë, është sistemi gjyqësor ai që po zvarrit çështjet e ekzekutimit të kolateralit, duke u bërë në këtë mënyrë një pengesë për gjallërimin dhe përtëritjen e kreditimit. Duke iu referuar Gjykatës së Tiranës, nxjerrja e një urdhri ekzekutimi kërkon afërsisht 173 ditë. Kurse, kohëzgjatja mesatare e një çështjeje të kundërshtimit të veprimeve përmbarimore është 124 ditë. Në këtë mënyrë, bankës i duhen mesatarisht 297 ditë kohë në total, për të përmbyllur një çështje për ekzekutimin e kolateralit. Nga ana tjetër, ligji parashikon që e gjithë procedura duhet të zgjasë vetëm 20 ditë. Dhe duke e ballafaquar me praktikën, shihet se shkelja e afateve ligjore është shqetësuese.

Prandaj, pak ditë më parë, vetë Ardian Fullani, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë i ka kërkuar publikisht qeverisë të forcojë ligjin duke bërë funksional sistemin e përmbarimit për të vepruar mbi kolateralin e lënë peng në rastin e marrjes së kredive, kur këto të fundit kthehen në kredi të këqija. Në këtë mënyrë, guvernatori fajësoi gjykatat, të cilat nuk ndërhyjnë ndaj kolateralit, kur kredimarrësit nuk paguajnë këstet e kredisë së marrë. Sipas tij, kur krahasojmë Shqipërinë me vendet e rajonit, duhet të jemi koshientë se ka akoma dobësi për sistemin bankar dhe financiar, si përsa i përket regjistrimit të kolateralit, ekzekutimit të tij, që përbën problem madhor dhe kërkon ndërhyrje të rëndësishme strukturore. Sipas Fullanit, bankat duhet të jenë të qarta, investitorët duhet të jenë të qartë dhe tregu duhet ta ketë të qartë, që kur ti vepron dhe lë diçka peng për të marrë kredi në bankë, ky peng në kushtet e mosrealizimit të huadhënies, të ekzekutohet. Guvernatori u shpreh se nëqoftëse Shqipëria nuk do të ndërhyjë urgjentisht në këtë drejtim, ekonomia do të marrë kosto të larta, pasi aktiviteti kreditues i një banke merr fund me mosekzekutimin e kolateralit. Nga ana tjetër, guvernatori Fullani argumentoi se sistemi bankar në Shqipëri është i shëndoshë në termat e kredidhënies dhe në këtë drejtim ai u shpreh se kushtet janë lehtësuar si për bizneset ashtu edhe individët. Duke iu referuar statistikave, ai u shpreh se për shkak të sistemit të shëndoshë bankar dhe sigurisë niveli i kreditimit ka qenë 10 % dhe në krahasim me vendet e rajonit kemi nivel të përshtatshëm nëqoftëse nuk krijohen probleme, pavarësisht se përpara krizës ky nivel ka qenë 20-30%. Në të njëjtën kohë, ai sqaroi se niveli i komisioneve përsa i përket valutës është në varësi të tregut ndërkombëtar, kurse ai në lekë është nën kosto. Ekzekutimi i kolateralit apo e përkthyer ndryshe sekuestrimi i pasurive të lëna peng për marrjen e kredisë, është kthyer në apelin kryesor të guvernatorit Fullani dhe ekspertëve të ekonomisë dhe financave. Është fakt që niveli i rritjes së kredive të këqija, ka bërë të domosdoshme praktikën e ekzekutimit të kolateralit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›