E Martë, 3 Nëntor 2026

AMP hetime për grupin kriminal: Siriani trafik droge në Tiranë, përfshiu në skemë efektivë policie

Goditja e grupeve kriminale dhe shpërndarja e lëndëve narkotike, është në fokus të punës së policisë, dhe hetimeve nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Kjo e fundit ka nisur hetimet në lidhje me një grup kriminal që ka të bëjë me shpërndarjen e lëndëve narkotike në Tiranë.

Në fokus të hetimeve është një person, tashmë i arrestuar me origjinë nga Siria, por që ka edhe shtetësi shqiptare.

 AMP ka dyshime të forta se ky i fundit ka përfshirë në skemën e shpërndarjes të lëndëve narkotike edhe efektivë të policisë.

Burime për RTSH bëjnë me dije se në hetim është përfshirë një efektiv i policisë, i cili aktualisht është në sektorin e antidrogës në Shkodër. Më përpara ka shërbyer në të njëjtin sektor në  Tiranë. Efektivi, emri i të cilit nuk bëhet publik për shkak të hetimeve i ka dhënë automjetin e tij shtetasit sirian.

AMP dyshon se automjeti është përdorur për transport të lëndës narkotike me qëllim shmangien e kontrolleve policore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›