E Hënë, 2 Nëntor 2026

AMP pezullon 3 punonjës policie në Elbasan për shpërdorim detyre

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka pezulluar tre punonjës policie në Elbasan.

Sipas njoftimit të bërë publik mësohet se AMP ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurisë të karakterit ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj tre punonjësve të policisë në Komisariatin e Policisë Elbasan, të dyshuar për “Shpërdorim i detyrës”.

AMP njofton se bëhet fjalë për: Nënkomisar A. ZH., 35 vjeç, me detyrë Specialist për Rendin, në Komisariatin e Policisë Elbasan; Inspektor P. B., 54 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist Informacioni, në Komisariatin e Policisë Elbasan dhe ⁠Inspektor J. GJ., 60 vjeç, me detyrë Ndihmës specialist për ruajtjen e dhomave të sigurisë, në Komisariatin e Policisë Elbasan.

“Në datën 3 qershor nuk kanë marrë masat e nevojshme për trajtimin dhe sigurimin e personave të ndaluar në ambientet e policisë, duke sjellë si pasojë arratisjen e shtetasit B. Z., i cili ishte arrestuar në flagrancë, si person i dyshuar për një vepër penale.”

Caktimi i masave të sigurisë për punonjësit e policisë të sipërcituar është bërë i mundur, pasi nga hetimet e zhvilluara lidhur me ngjarjen e datës 3 qershor, janë administruar prova dhe fakte se këta punonjës policie, me anë të mosveprimit dhe në shkelje të dispozitave të parashikuara në aktet ligjore e nënligjore që normojnë punën në Policinë e Shtetit, nuk kanë marrë masat e nevojshme për trajtimin dhe sigurimin e personave të ndaluar/shoqëruar në ambientet e policisë, duke sjellë si pasojë arratisjen e shtetasit B. Z., i cili ishte arrestuar në flagrancë, si person i dyshuar për një vepër penale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›