Erdogan dhe Putin bisedë telefonike për konfliktin Izrael-Iran

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan pati sot një bisedë telefonike me homologun rus, Vladimir Putin, ku tema kryesore ishte konflikti midis Izraelit dhe Iranit.
Sipas deklaratës së bërë në llogarinë e rrjeteve sociale të Presidencës së Turqisë, Erdogan theksoi se “spiralja e dhunës që filloi me sulmet e Izraelit ndaj Iranit e vë në rrezik sigurinë e të gjithë rajonit, qëndrimi i qeverisë Netanyahu që nuk njeh ligjin përbën një kërcënim të qartë për sistemin ndërkombëtar dhe se rajoni nuk mund të tolerojë një luftë të re.”
Lideri turk tha se që nga fillimi, Ankaraja i ka dhënë përparësi nismave diplomatike për të ndaluar sulmet, duke nënvizuar se e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemet me Iranin është përmes diplomacisë dhe se negociatat duhet të rifillojnë pa vonesë.
Erdogan theksoi gjithashtu rëndësinë e moslejimit që sulmet e Izraelit kundër Iranit të shpërqendrojnë vëmendjen nga Gaza.
Presidenti rus Putin tha gjithashtu se ishte dakord me presidentin Erdogan për ndalimin e konflikteve sa më shpejt të jetë e mundur dhe hapjen e hapësirës për diplomaci.
/rtsh.al/