ANEB “i shqetësuar” për programin bërthamor të Iranit

Në një takim të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB), fuqitë botërore kanë prezantuar një projekt-rezolutë, e cila shpreh “shqetësime serioze” për programin e zgjeruar bërthamor të Iranit.
Delegatët në Vjenë do të presin deri të enjten për të diskutuar dhe votuar projekt-rezolutën.
Ajo është prezantuar bashkërisht nga Britania, Kina, Franca, Gjermania, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara.
Teksti i bën thirrje Iranit “të veprojë në përputhje të plotë dhe pa vonesa me obligimet e tij nën rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit”.
Projekt-rezoluta mësohet se shpreh shqetësim të veçantë edhe për Fordovin, një rajon nëntokësor në Iran, ku ANEB ka raportuar se autoritetet iraniane kanë dyfishuar kapacitetet për pasurim të uraniumit në tre muajt e fundit.
Nëse uraniumi pasurohet në një shkallë të lartë, ai mund të përdoret për krijimin e armëve bërthamore.
Perëndimi ka miratuar një varg sanksionesh kundër Iranit, nga frika se synon armatimin atomik. Teherani zyrtar thotë se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.