E Shtunë, 31 Tetor 2026

AQSHF dokumentar për Nënë Terëzën, nesër lumturimi i saj

TIRANË- Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit shfaqi paraditen e sotme filmin dokumentar “Nënë Tereza”, një ditë para 19 tetorit, ditës së Lumturimit të saj.

Dokumentari për figurën e bamirëses është realizuar nga regjisori Kujtim Gjonaj, me materiale arkivale nga AQSHF dhe nga arkivi i Vatikanit. Për rreth 50 minuta të filmit shpaloset gjithë figura e Nënë Terezës, që nga lindja e saj, vendimi për t’u bërë misionare në ndihmë të të varfërve, vdekja e saj e deri tek Lumturimi në vitin 2003, në Vatikan, nga Papa Gjon Pali II.

Jeta e Nënë Terezës rrëfehet përmes këtij dokumentari dhe shfaq një grua misionare jo si gjithë të tjerat, por një bamirëse që sakrifikonte gjithçka në ndihmë të të varfërve.
Ditën e nesërme shënohen tetë vjet nga Lumturimi i Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza, humanistes shqiptare, fituese e Çmimit Nobël për Paqen. Gjashtë vjet pas ndarjes nga jeta, ajo u shpall "E Lumturuar” nga Papa Gjon Pali i II, një moment që i ka hapur rrugë shënjtërimit të saj.

Në vitin 1979, Çmimi Nobel i Paqes, shpërbleu punën e palodhshme të Nënë Terezës në favor të të varfërve dhe personave që ishin duke dhënë shpirt, duke i dhënë një autoritet botëror asaj që shumë prej adhuruesve e konsiderojnë si një shenjtore.
Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel në vitin 1979, ajo deklaroi: "Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

Nënë Tereza u lind në Shkup në 26 gusht të vitit 1910 nga prindër shqiptarë. Që në moshën 12 vjeç kishte dëshirë të bëhej misionare "për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit". Në moshën 18 vjeç hyri në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, në Dublin, që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës.

Nënë Tereza, e veshur gjithnjë me mantelin e bardhë, me shirita blu të urdhërit të Misionareve të Bamirësisë, që ajo kishte ngritur në vitin 1950, kishte zakon të thoshte se vepra e jetës së saj nuk ishte veçse “një pikë lehtësimi në një oqean vuajtjesh”, por, shtonte ajo, “nëse kjo pikë nuk ekzistonte, ajo do t'i mungonte detit”.

“Shenjtore e të varfërve", ndërroi jetë në 5 shtator 1997 në moshën 87 vjeç, pas një gjysmë shekulli shërbim ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë botën. Ajo prehet në selinë e Urdhërit të Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta. Në vitin 1997, pak para se të ndahej nga jeta, Nënë Tereza kishte 4000 motra, të pranishme në 610 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës.
(e.m/atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›