ARABI SAUDITE – Nisin bisedimet mes Ukrainës dhe SHBA-së për ndalimin e luftës

KIEV, 11 mars /ATSH-DPA/- Bisedimet midis zyrtarëve të lartë ukrainas dhe amerikanë kanë nisur sot në Xhedah, Arabi Saudite, në një përpjekje për të ndaluar luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Ministria e Jashtme në Kiev publikoi një video në Telegram që tregonte delegacionin ukrainas në rrugën e tij drejt dhomave të negociatave.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk është i pranishëm, megjithëse ai ishte dje në Arabi Saudite për t’u takuar me princin e kurorës, Mohammed bin Salman.
Në vend të kësaj, ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha, ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov dhe shefi i zyrës presidenciale Andrii Yermak u panë në një video tjetër – ku shfaqej pala ukrainase e ulur në tryezën e bisedimeve.
Përballë tyre në anën amerikane ishin sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Michael Waltz.
Ukrainasit kanë mbështetur nismën e presidentit francez, Emmanuel Macron në favor të një armëpushimi të pjesshëm ndaj sulmeve ajrore dhe sulmeve nga deti, që Rusia e refuzoi javën e kaluar.
Kievi gjithashtu dëshiron një shkëmbim të të gjithë të burgosurve me Rusinë si një hap i parë.
Uashingtoni, nga ana tjetër, dëshiron një armëpushim të shpejtë dhe gjithëpërfshirës të ndjekur nga zgjedhjet në Kiev.
Rubio tha dje se Ukraina do të duhej të bënte lëshime territoriale si pjesë e çdo marrëveshjeje.
Ukraina është mbrojtur kundër pushtimit rus në shkallë të plotë për më shumë se tre vjet me mbështetjen perëndimore.
Pas një takimi të ashpër në Zyrën Ovale më 28 shkurt, në të cilin presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance e kritikuan Zelensky – dhe e quajtën atë mosmirënjohës, Uashingtoni ndaloi dërgesat e armëve në Ukrainë dhe aksesin në informacionin kyç të shërbimeve sekrete.
Trump është përpjekur për të nënshkruar një marrëveshje për mineralet në Ukrainë me Zelensky, por presidenti ukrainas ka kërkuar garanci sigurie. //a.i/